Arbëri

Heldt i përgjigjet Pacollit, nuk ka qëndrim për çështjen e tij

Në vazhdën e akuzave ndaj Qeverisë Kurti, deputeti Behgjet Pacolli ka replikuar edhe me ambasadorin e Gjermanisë në Kosovë, Christian Heldt.

Deputeti i AKR-së që planifikon të vijë në Kosovë nga Zvicra u ankua gjatë gjithë ditës së martë për paralajmërimin e Qeverisë se ai do të duhet t’i nënshtrohet masës së karantinimit siç bëhet me qytetarët që vijnë nga jashtë shteti.

Në një nga shumë postimet që ka bërë sot nëpër rrjete sociale, Pacolli kërkoi edhe reagim nga ndërkombëtarët.

“Dua të shoh se sa parimorë do të jenë Viola Von Cramon, Nataliya Apostolova e ambasadorët e Gjermanisë, Britanisë dhe të Amerikës në Kosovë në pengesat që Qeveria po bën ndaj atyre që nuk mendojnë njëjtë si Kurti në Parlament. Komuniteti ndërkombëtar nuk duhet të rrijë i heshtur ndaj veprimeve anti-kushtetuese të Kurtit”, kishte shkruar Pacolli në një nga postimet në Twitter.

Lidhur me këtë është përgjigjur ambasadori gjerman Christian Heldt.

“Kam frikën se nuk mund të ofroj këshillë praktike për këtë çështje. Nuk jam larguar nga Kosova që nga izolimi më 13 mars, e këtë s’e ka bërë askush nga stafi im diplomatik. Puna dhe shtëpia jonë është këtu. Edhe ata pak që ishin ngujuar në pushime në Gjermani, nuk kanë mundur të kthehen deri tash”, ka shkruar Heldt.

Ndërsa në një kundërpërgjigje, Pacolli ka thënë se një “qasje më parimore në mbrojtje të Kushtetutës dhe ligjit do të ishte e mirëpritur”.

“Heshtja juaj ndaj shkeljeve të vazhdueshme që Kurti ia ka bërë Kushtetutës nuk ndihmojnë vendin dhe demokracinë e vet. Do të shohim rezultatet. Karantina nuk është as me ligj as me Kushtetutë”, ka shkruar Pacolli.

Sot gjatë ditës, Pacollit iu dha leja nga autoritetet e Kosovës për aterrim me aeroplanin e tij privat. Megjithatë, ai vendosi të anulojë këtë e të aterrojë në Tiranë. Siç ka mësuar KOHA, për t’iu shmangur karantinës në Qendrën e Studentëve, Pacolli do të thotë se ka probleme shëndetësore.