Arbëri

Veseli vazhdon vizitat nëpër komuna, “Çohu” i vlerëson si parapërgatitje për zgjedhje

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) Kadri Veseli, sot ka vizituar komunën e Kamenicës në kuadër të vizitave që është duke u bërë komunave.

Veseli është takuar me kryetarin e komunës së Kamenicës, Qëndron Kastrati, me të cilin kanë biseduar për zhvillimet në këtë komunë.

Kreu i PDK-së, Veseli edhe në këtë takim ka ripërsëritur se pakoja emergjente financiare në vlerë prej 320 milion euro që është propozuar nga kjo parti është një ofertë dhe një zgjidhje e vlefshme e cila duhet të implementohet nga institucionet e Kosovës, ngase sipas tij, ndihmohen familjet dhe bizneset në këtë situatë të epidemisë COVID-19.

Por kjo vizitë dhe të tjerët ditëve të shkuara, për Artan Demhasajn nga organizata “Çohu” ngjasojnë me njëlloj fushate elektorale.

E Veseli vazhdon të ngulë këmbë për pakon emergjente, që PDK-ja më heret e paraqiti në Kuvend.

“Pakoja e rimëkëmbjes ekonomike është e domosdoshme dhe u ndihmon drejtpërdrejtë familjeve që kanë vështirësi sociale, iu ndihmon drejtpërdrejtë komunave, u ndihmon bizneseve që të rifillojnë aktivitetet e tyre të ndërmarrësisë, u ndihmon 280 mijë familjeve të cilat janë në sektorin privat, por edhe fermerëve dhe gjithë komunave. Ne nuk guxojmë të dështojmë nga pandemia dhe duhet të marrim masa që ta tejkalojmë këtë dhe asnjëherë të mos shkojmë në kolaps social e ekonomik”, ka thënë Veseli.

Kryetari i komunës së Kamenicës, Qëndron Kastrati, ka deklaruar se është e nevojshme që të ketë një lehtësim të masave nga institucionet.

“Ftoj institucionet dhe qytetarët që t’i respektojmë masat e duhura. Kemi nevojë shumë që të lirohet ekonomia dhe në veçanti komunat si Kamenica ku ekziston vetëm prej remitencave dhe është një prej sfidave dhe prej halleve në vazhdim”, ka thënë ai.

Ndërkohë shoqëria civile vlerëson se kreu i PDK-së, Kadri Veseli me këto vizita nëpër komuna është duke shpenzuar energji me qëllim që të jetë i përgatitur për zgjedhjet e parakohshme kurdo që ato mbahen.

Artan Demhasaj nga organizata “Çohu”, thotë se PDK-ja me këto vizita në terren është duke tentuar që të vendosë kontakte me elektoratin në këtë situatë të epidemisë ku edhe jepen premtime për pakon emergjente, e të cilat nuk munden të zbatohen.

“Ka qenë parti e parë kurse në zgjedhje e fundit ka dal e treta dhe tash është e nevojshme që të dalë në terren me qëllim që të kthejë elektoratin që dikur e ka pasur. Në anën tjetër po shohim situatën politike në çfarë po kalon Kosova dhe në një moment të caktuar mund të shkohet në zgjedhje të parakohshme dhe është e qartë që është një përgatitje e partive politike që janë e duke bërë. Kurdo që mbahen zgjedhjet, partitë opozitare duhet të jenë të përgatitura. Por PDK nuk është në Qeveri që të premtojë ose të marrë vendime për ndihma në këtë situatë”, ka thënë ai.

Thotë se është legjitime që subjektet opozitare të përgatiten për zgjedhje, mirëpo ka vërejtje për mënyrën sesi kreu i PDK-së po vepron në këtë situatë, meqë nuk po ndjek udhëzimet shëndetësore.

”Po shohim që z. Veseli nuk po ndjek udhëzimet sepse nuk vendos as maskën dhe as dorëzat. Gjithmonë kudo që po shkon nuk përdor masat mbrojtëse, madje në disa raste ka pasur shtrëngim të duarve. Dhe kjo nuk është e mirë”, ka thënë Demhasaj.