Arbëri

Koronavirusi zbraz arkat e xhamive

Foto: KOHA

Ndalimi i tubimeve fetare nëpër xhamitë e Kosovës ka bërë që këto të fundit të përballen me vështirësi financiare. Tubimet janë ndaluar në kuadër të masave për parandalimin e përhapjes së koronavirusit të ri.

Besimtarët myslimanë në Kosovë, paguajnë për anëtarësi në Bashkësinë Islame të Kosovës nga 3 deri në 4 euro në vit, për një anëtar të familjes. Nga kjo pagesë janë të liruara vetëm rastet sociale.

Anëtarësia mund të paguhet në këshillat e Bashkësisë Islame, por në raste më të rralla mund të kryhet edhe përmes inkasantëve, të cilët paratë i mbledhin duke trokitur nga dera në derë.

A paraqet rrezik për shëndetin agjërimi gjatë pandemisë?

Gjithashtu, pagesa mund të bëhet edhe tek imami i xhamisë më të afërt, i cili posedon një bllokun të lëshuar nga Këshilli i Bashkësisë Islame i komunës përkatëse.

Një masë e konsiderueshme besimtarësh japin kontribute edhe në formë donacionesh, kur shkojnë në xhami për të kryer ritet fetare.

Kriza rreth koronavirusit të ri ka bërë që Këshillat e Bashkësisë Islame në Kosovë, të kenë probleme financiare.

Imami i xhamisë “Bedri Kamberi”, në Lagjen e Spitalit në Prishtinë, Labinot Maliqi, thotë për Radion Evropa e Lirë se edhe xhamia e tij është duke u përballur me problemin e njëjtë. Ai tregon se besimtarët që falen në këtë xhami, kontribuojnë në mirëmbajtjen e xhamisë.

“Tani arkat e xhamisë nuk mbushen nga besimtarët e rregullt për shkak se xhamitë janë mbyllur si rezultat i pandemisë, por kontributi i donatorëve është i vazhdueshëm edhe gjatë kësaj kohe”, thotë Maliqi, duke shpresuar që kjo gjendje të mos vazhdojë gjatë.

Me gjithë vështirësitë, imami bën thirrje te të gjithë besimtarët që “t’i kryejnë obligimet fetare individualisht, duke zbatuar të gjitha masat dhe rekomandimet që vijnë nga organet shëndetësore, shtetërore dhe fetare”.

Krizën financiare për shkak të mospagesës së anëtarësisë dhe donacioneve nga besimtarët, e pranojnë edhe në Bashkësinë Islame të Kosovës.

Islam Hasani, drejtor financiar në BIK, thotë për Radion Evropa e Lirë se COVID-19 ka ndikuar në të hyrat e këshillave të Bashkësisë Islame anembanë vendit.

“Në shumicën e këshillave të Bashkësisë Islame nuk kanë të hyra të tjera përveç anëtarësisë, të cilat mblidhen nga populli, nga xhemati. Përderisa, populli nuk mblidhet nëpër xhami, nuk tubohet, atëherë edhe nuk paguan. Ndoshta ka ndonjë këshill që gjendet pak më mirë financiarisht, sepse ka pasur të hyra alternative, nga qiratë ose kanë pasur rezerva, por në përgjithësi pandemia COVID-19 financiarisht ka ndikuar te shumica e imamëve në mbarë territorin e Kosovës”, thotë Hasani.

Sipas tij, është e pamundur edhe për inkasantët që të dalin dhe të grumbullojnë anëtarësinë, ose të kërkojnë nga populli që të paguajnë anëtarësinë.

Të plotë mund ta lexoni në REL