Arbëri

Hapet ekspozita e studentëve të UShAF “Profesionistët e së Ardhmes”

Ministri në detyrë i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arsim Bajrami dhe rektori i Universitetit të Shkencave të Aplikuara në Ferizaj, Agron Bajraktari, janë shprehur të kënaqur me punën e studentëve në hapjen e ekspozitës “Profesionistët e së Ardhmes”, e cila u hap sot në ambientet e Universitetit të Shkencave të Aplikuara në Ferizaj.

Në këtë ekspozitë, të dytën të këtij lloji, po i ekspozojnë punimet e tyre studentët e Fakultetit të Arkitekturës, Fakultetit të Turizmit dhe Ambientit, si dhe Fakultetit të Menaxhmentit.

Bajrami u shpreh i lumtur që ka ndihmuar në hapjen, por edhe në mbështetjen e mëtutjeshme për këtë Universitet, ndërsa tha se para tri vitesh kishim një ëndërr për këtë universitet. “Por, e bëmë realitet, sepse krijuam një universitet model jo vetëm për Ferizajn, por për gjithë Kosovën, krijuam Universitetin e Shkencave të Aplikuara”.

Ministri theksoi se ky është një universitet i shekullit 21, i cili ofron liderë të së ardhmes. “Resursi më i madh që kemi ne, janë të rinjtë tanë, një rini evropiane dhe shumë aktive, prandaj ne e kemi për detyrë të punojmë shumë për ta. Ky është universiteti më i mirë që kemi për momentin”, tha ai, dhe këtë e arsyetoi me fatin se “ky Universitet, vetëm për kaq pak kohë prej se është themeluar, është shumë i kërkuar nga të rinjtë dhe ka fituar përkrahjen e madhe të bizneseve dhe kompanive të ndryshme”.

Pasi që e krahasoi me universitete të njohura në vende të ndryshme të Evropës, ministri Bajrami falënderoi rektorin Bajraktari për menaxhim të shkëlqyeshëm, por edhe stafin akademik dhe studentët për punën e tyre të palodhshme.

Ndërsa, rektori Bajraktari theksoi faktin se ky institucion ka vetëm dy vite jetë si universitet dhe për këtë kohë, janë realizuar në plotni të gjitha premisat që janë dhënë në studimin e fizibilitetet, i cili më pas u mbështet nga Qeveria e Kosovës, përkatësisht nga ministri Bajrami, të cilin e falënderoi për dhënien e kësaj mundësie për të rinjtë e Ferizajt dhe Kosovës.

Rektori u shpreh krenar për studentët, për punën e mirë që kanë bërë në këtë ekspozitë, por edhe për punën në ndërmarrje. Ai falënderoi stafin akademik dhe joakademik, por edhe ndërmarrjet që kanë ofruar punën praktike të studentëve, pasi që Universitetit ende i mungojnë ambientet e kërkuara laboratorike për shkaqe financiare.

“Puna jonë është e lidhur ngushtë me ndërmarrje dhe Bordi Industrial, i ngritur pranë Universitretit, po krijon këta profesionistë të së ardhmes, të cilët tregu po i pret”, tha Bajraktari, ndërsa theksoi edhe faktin se shumë studentë po punësohen në kompani ende pa i mbaruar studimet.

Duke vënë në fokus punën që është bërë për të krijuar mundësi të reja për përgatitjen sa më të mirë të studentëve, Bajraktari përmendi se tashmë studentët e parë të UShAF po qëndrojnë në universitete ndërkombëtare, si pjesë e marrëveshjeve për mobilitet.

Rektori premtoi se në të ardhmen do të hapen edhe programe të reja në Universitet, gjithmonë duke e rritur vazhdimisht cilësinë e studimeve.

Ekspozita, e cila është hapur sot, do të qëndrojë e hapur për të gjithë të interesuarit deri më datën 31.05.2017.