Tash e 7 vjet, partitë politike premtojnë liberalizim të shpejtë të vizave

29 maj 2017 19:13

Në fushatën e 2010-ës, kreu i PDK-së, atëkohë kryeministër Hashim Thaçi, kishte premtuar se për 18 muaj do të ndodhë liberalizimi i vizave.

Edhe 7 vjet pas, fushata po zhvillohet me të njëjtin premtim.

Liderët që ishin në pushtet deri tash, po japin afate kohore se kur do të ndodhë liberalizimi, megjithëse ishin po të njëjtin që nuk arritën ta plotësonin kriterin kryesor, i cili do t’u mundësonte qytetarëve lëvizje të lirë në Evropë, ratifikim e demarkacion me Malin e Zi, raporton KTV.

Profesori për marrëdhënie ndërkombëtare në Universitetin e Prishtinës, Afrim Hoti, thotë se kjo çështje duhet të zbërthehet nga paraqitja siç është e terminëve kohore, në paraqitje të një veprimi konkret.

Ai thotë se çështja e integrimit të përgjithshëm, e në veçanti liberalizimi, nuk është çështje e vullnetit, por çështje e marrjes së vendimeve.

Ndërsa, njohësi i proceseve integruese, Emrush Ujkani, thotë se është për të ardhur keq që fushata ende po bëhet me këso lloj premtimesh.

Thotë se kështu politikanët po vazhdojnë të luajnë me ndjenjat e qytetarëve.

Edhe qytetarët janë të vetëdijshëm që pa miratimin e demarkacionit me Malin e Zi nuk do të ketë liberalizim, prandaj premtimet i shohin veç si retorikë elektorale.

Bashkimi Evropian ia ka bërë të qartë Kosovës se pa plotësimin e kriterit për demarkacionin nuk do të jetë e mundshme që Kosova ta marrë liberalizimin e vizave.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme