Arbëri

44 persona të karantinuar në Qendrën e Studentëve lirohen, futen 107 të tjerë

Foto: Alban Bujari / KD

Drejtori i Qendrës së Studentëve, Fatmir Sfishta, ka njoftuar se janë liruar 44 persona nga karantina në konviktet e Qendrës Studentore në Prishtinë, ndërkohë që aty pritet të futen 107 persona, të cilët sot do të kthehen nga Zvicra, ka raportuar KP-ja.

“Të gjithë personat që dje janë testuar, 44 prej tyre që kanë dal negative. Fatmirësisht sot janë liruar dhe kanë shkuar nëpër shtëpitë e tyre. Ne sot presim një kontingjent të bashkëqytetarëve tanë të cilët udhëtojnë nga Zvicra, janë 107” ka thëne Sfishta.

Ai ka shtuar se në Qendrën e Studentëve po qëndrojnë të karantinuar 256 persona dhe se gjendja e tyre është e mirë.

Mes tjerash, ai ka folur edhe për ushqimin në karantinë, ku shërbehen tri vakte, por që dy prej tyre ndahen përnjëherë për “të racionalizuar kohën”.

Ndërkohë, Sfishta, ka bërë të ditur se nesër do të vijë edhe një kontingjent me qytetarë.

Ata do vijnë nga Serbia dhe janë rreth 120 persona.