Arbëri

Mustafa përuroi palestrën e re sportive në Kamenicë

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Isa Mustafa, i shoqëruar nga ministri në detyrë i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Shala, dhe kryetari i Komunës, Begzad Sinani, në prani të shumë qytetarëve dhe sportistëve, përuroi palestrën e re të sportit në Kamenicë.

Duke uruar për këtë objekt shumë të rëndësishëm për qytetin e Kamenicës, Mustafa tha se qytetarët e meritojnë një objekt të tillë i cili i plotëson nevojat e të rinjve, të sportistëve dhe të qytetarëve.

“Është një investim i merituar, dhe konsideroj se është një rezultat i një pune të përbashkët edhe i Komunës, Ministrisë, pushtetit lokal, pushtetit qendror”, theksoi kryeministri në detyrë, duke shtuar se kontinuiteti i ndërtimeve të tilla do të vazhdojë.

Më tej, ai tha se Kosova dhe gjendja e qytetarëve do të përmirësohet me punë të përbashkët.

Mustafa uroi që ky objekt të shfrytëzohet në mënyrën më të mirë, duke shprehur dëshirën që të ketë më shumë sportistë, më shumë të rinj që do të merren me sport, me aktivitete kulturore dhe aktivitete tjera, për çfarë, siç theksoi, me këtë objekt u krijuan kushte shumë të volitshme.

Nga ana e tij, ministri në detyrë i Kulturës, Kujtim Shala tha se kjo palestër është një nga projektet e rëndësishme të Qeverisë, i përmbushur për Komunën e Kamenicës.

“Unë ju uroj për këtë sallë, për këtë palestër kaq të bukur dhe ju siguroj që investimet do të vazhdojnë. Qeveria do të përkrahë investimet dhe brenda këtij viti do të vazhdojmë investimet bashkë me komunën për ndërtimin e stadiumit të ri”, theksoi Shala, duke shtuar se do të shihen projekte të reja sipas kërkesës dhe sipas nevojës së qytetarëve dhe sipas mundësive që ekzistojnë.

Ndërkaq, kryetari i Kamenicës, Begzad Sinani, tha se kjo palestër ka qenë projekt dhe premtim i përbashkët që punët të finalizohen në këtë mandat.

“Sot, ndihemi të gjithë të kënaqur dhe besoj të lumtur, e sidomos për sportdashësit e komunës sonë. Dëshirojmë që të shfrytëzohet në mënyrë efikase dhe ta shfrytëzojnë në tërë kapacitetin që është në këtë sallë”, theksoi Sinani, duke përkujtuar edhe angazhimin e përbashkët të Komunës dhe Qeverisë për përfundimin e kësaj palestre moderne sportive.