Arbëri

Krasniqi: Klasa politike harron pandeminë, iu kthye garës për pushtet

Qeveria e kryeministrit Albin Kurti është rrëzuar nga Kuvendi me mocionin e iniciuar nga LDK-ja, që ishte pjesë e koalicionit qeverisës. Kjo parti nuk pati treguar ndjeshmëri për dramën e përballjes së kosovarëve me pandeminë COVID-19, e cila në kohën e këtij zhvillimi politik kishte prekur 71 qytetarë dhe e kishte marrë jetën e parë, ndërsa tashmë është shumëfishuar numri i të infektuarve, e numri i të vdekurve e ka tejkaluar 10-shin.

Iniciativa nuk qe stopuar, pavarësisht thirrjes së qytetarëve që është shprehur nëpërmjet protestave nga ballkonet e shtëpive secilën natë, pavarësisht kërkesës së shoqërisë civile, e edhe apelit që e kanë bërë shumë shtete, përfshirë ato të QUINT-it, si dhe një demarshi të shteteve më me ndikim në Evropë – Gjermanisë dhe Francës, shkruan KOHA.

Çarjet mes LVV-së dhe LDK-së, të nisura që në ditët e para të bashkëqeverisjes, degraduan në kohë pandemie kur kryeministri Kurti shkarkoi nga posti i ministrit Agim Veliun, nënkryetar i parë i LDK-së që shihej si pykë në koalicion. E bëri këtë, pasi Veliu publikisht kishte mbështetur shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme, të iniciuar nga Presidenti, në kundërshtim me pozicionimin kundër të deklaruar nga kreu i Qeverisë. Prej atëherë, përplasjet mes kampeve politike kanë marrë intensitet.

Zhvillimet kanë ndodhur, ani se kriza COVID-19 llogaritet që mund të jetë më seriozja që nga Depresioni i Madh i vitit 1930.

Nisur nga kjo, Berat Thaqi nga Instituti GAP, thotë se fokusi dhe energjitë duhej të ishin plotësisht të orientuara te lufta kundër pandemisë.

“Kriza politika e dëmton luftën ndaj krizës COVID-19, sepse mjafton që politikëbërësit, në vend që të orientojnë tërë energjinë e tyre në ide dhe menaxhim të COVID-19, është dashur që të mendojnë për probleme politike”, thotë Thaqi. “Në afatshkurt, kjo krizë politike edhe mund të anashkalohet, mirëpo në afatgjatë është i domosdoshëm krijimi i një shumice parlamentare për të adresuar efektet e krizës. Kjo, ngase në mënyrë që të mbajmë një nivel të shpenzimeve publike dhe krijojmë pako të reja për rimëkëmbje të ekonomisë, ne duhet që të hyjmë në marrëveshje të reja ndërkombëtare për kredimarrje dhe për këtë nevojitet një shumicë parlamentare. Në kohë krize, është tejet me rëndësi që shpenzimet publike të rriten, ose të paktën të mos bien, sepse janë infuzion për ekonominë dhe ndihmojnë në zbutjen e krizës”.

Problemi nuk pritet të marrë zgjidhje të shpejtë. Pas mocionit, LDK-ja synon të krijojë Qeveri me subjekte që ishin në opozitë, por LVV-ja synon ta bllokojë këtë skenar.

Kësisoj, është prodhuar një kontest i ri kushtetues. Palë në kontest kanë interprentime konfrontuese mes vete, për zgjidhjen që duhet t’i japë fund krizës politike të krijuar: LVV-ja, që e drejton Qeverinë, e kundër së cilës u bë i gjithë spektri politik në Kuvend, insiston se pas mocionit, vendi duhet të shkojë në zgjedhje të parakohshme, ndërkaq presidenti Thaçi, i cili shihet si shtytësi i rrëzimit të Qeverisë, hapur ka shprehur synimet për ndërtimin e një qeverie të re dhe procedurën për këtë veçse e ka nisur. Paraqitja e kontestit në gjykatë duket e paevitueshme – ose nga LVV-ja në rast se Presidenti ia ofron mandatarin një subjekti tjetër pos saj, ose nga Presidenti, në rast se LVV-ja e vonon në pafund përgjigjen për mandatarin që ia ka kërkuar katër herë.

Jeta Krasniqi nga KDI-ja, konsideron se kauzat politike u mbivendosën mbi prioritetin për përballjen me pandeminë Covid-19, ndërsa klasa politike iu kthye garës për pushtet.

“Sjellja e klasës politike në vend po dëshmon mungesë të kulturës politike dhe mungesë të pjekurisë politike ku çdo gjë kthehet në funksion të interesit të ngushtë politik dhe qytetarët janë protagonistë të krizave të njëpasnjëshme politike. Por, ajo çfarë e bën këtë krizë ndryshe nga të tjerat është se pritshmëritë janë që i tërë fokusi të jetë te përballja me pandemi, te masat që duhet të ndërmerren për rimëkëmbjen e ekonomisë, te masat për rikthim të ngadaltë në normalitet, por për fat të keq, te ne në Kosovë, prioritet vazhdojnë të mbesin çështjet politike”, i ka thënë gazetës Krasniqi. “Me rrëzimin e Qeverisë në këtë kohë të pandemisë, vendi po hyn në një paqartësi kushtetuese rreth hapit të mëtejmë që duhet të ndërmerret në këtë situatë – meqë partitë politike dhe vetë Presidenti janë të ndarë rreth mundësive kushtetuese, përkatësisht nëse vendi duhet të shkojë në zgjedhje apo nëse ofrohen mundësitë kushtetuese për formim të një Qeverie të re, pa shkuar në zgjedhje”.

Në këtë situatë, institucionet dhe partitë po e pengojnë njëra-tjetrën në vendimmarrjen për luftën kundër COVID-19. Gjendja e Jashtëzakonshme nuk është shpallur shkaku i konfliktit President-Kryeministër. E në anën tjetër, duke qenë në detyrë, Qeveria nuk ka të drejtë të sponsorizojë ligje në Kuvend, e për pasojë, masat kufizuese të lëvizjes së qytetarëve nuk kanë mundur të bëhen me ligj, por me vendim, për mosrespektimin e të cilit, Presidenti i pati bërë thirrje popullit. Vendimin ai e pati kontestuar në Gjykatën Kushtetuese dhe pas shqyrtimit, ai është rrëzuar. Edhe masat e reja që janë vendosur nga Ministria e Shëndetësisë është duke i kontestuar opozita dhe ato janë përcjellë në Gjykatë Kushtetuese këtë fundjavë. Megjithëkëtë, opozita nuk i mbështeti ligjet për këto masa që i inicioi Kryeparlamentarja Vjosa Osmani, pavarësisht se ato ishin konform udhëzimeve të dhëna nga gjykata.