Arbëri

Hakmarrja e shëndetësisë

Foto: Alban Bujari / KOHA

Jo të gjitha deficitet në luftën kundër pandemisë, e kanë burimin te kriza e tashme politike. Pandemia ka nxjerrë në pah mungesat e shumta në sektorin e shëndetësisë.

Lul Raka është mikrobiolog dhe për të COVID-19 nuk përbën pandeminë e parë agresive të cilës i ka dalë përballë. Në vitin 2014 ai kishte shkuar në Liberi për t’i ndihmuar kolegët e tij në luftën me virusin vrasës të Ebolas.

Ai thotë se situatat e këtilla i pasqyrojnë kudo të gjitha mangësitë e sistemit shëndetësor, me theks në shtyllat e reagimit institucional ndaj pandemisë. E, për COVID-19 thotë të ketë treguar se çfarë peshe ka shëndeti publik në mirëqenien e një njeriu dhe një shteti, transmeton KOHA. 

“Mungesa e investimeve dhe keqqeverisja gjithsesi janë faktorë kryesorë atribuues të gjendjes së mjerueshme në të cilën ka kaluar shëndetësia e Kosovës. Me investimet qeveritare në shëndetësi, të cilat bashkë me Moldavinë janë më të ulëtat për kokë banori në Evropë, as që është pritur ndonjë mrekulli në përballje me çdo kërcënim të shëndetit publik, përfshirë COVID-19”, thotë Raka. “Resurset njerëzore janë duke u larguar nga shteti, nuk ka specializime të reja (madje ka specialistë të papunë!), nuk ka politikë të mirëfilltë kadrovike as stimulim për profilet me interes vital nacional, e shumë mangësi të tjera”.

Tani shëndetësia po i hakmerret Kosovës. Shteti që ka keqmenaxhuar, por edhe është treguar cikërrimtar në investimet në këtë fushë, ka pësuar dëme të mëdha nga “murtaja moderne”.

Pas pesë javësh prejse pandemia COVID-19 ka mbërritur, bilanci është: 13 jetë të humbura e rreth 500 të prekur me virusin SARS-CoV-2; dëme të pallogaritshme ekonomike e edhe në fusha të tjera; si dhe krizë e thellë politike.

Masat restriktive për ngujimin e popullit në shtëpi janë vendosur nga Ministria e Shëndetësisë, në mungesë të një pasqyre të qartë për rastet e prekura dhe për të evituar stërngarkesën e sistemit thuajse të rrënuar shëndetësor, në rast të përhapjes masive të virusit.

Apeli kryesor që Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) ka dhënë për shtetet është: test, test, test. Qëllimi i thirrjes është për të identifikuar sa më shumë të prekur që nuk kanë simptoma, për t’i izoluar ata e për t’i gjurmuar kontaktet që i kanë pasur. Por, pas pesë javësh, te kosovarët janë kryer vetëm diçka më shumë se 4 mijë teste, rreth 15 për qind prej të cilave kanë dhënë rezultatet e prezencës së virusit.

Kësisoj, në rajon Kosova është vetëm para Shqipërisë për numrin e testeve që e ka bërë për një milion banorë – rreth 2 mijë sosh. Sipas ueb-faqes Worldometers, e cila përmban të dhëna për rastet e prekura me coronavirusin e ri SARS-CoV-2, deri më 16 prill Serbia ka testuar 3,008 persona në një milion banorë, Kroacia 4,691 persona, Bosnjë e Hercegovina 4,066, Maqedonia e Veriut 4,446 dhe Mali i Zi ka testuar 6,168. Shqipëria ka bërë testin e vetëm 1,584 personave në një milion banorë.

Në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike (IKSHPK) kanë treguar se u mungojnë kapacitetet humane e infrastrukturore për të bërë më shumë se kaq, shkaku i investimeve që prej vitesh kanë munguar.

Testet bëhen vetëm në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare të këtij instituti, në të cilin aplikohet metoda RT-PCR.

“Që nga viti 2009, Laboratori i Mikrobiologjisë Molekulare është i vetmi i tillë në të gjithë Kosovën. Në laborator kanë punuar deri në fillim të pandemisë më COVID-10 vetëm dy persona: një specialiste e Mikrobiologjisë si dhe një laborant”, janë arsyetuar në këtë Institut. “Me shtimin e numrit të kërkesave për testim – janë shtuar fillimisht 2 specialiste të Mikrobiologjisë dhe 1 laborant, të cilët kanë pasur përvojë paraprake në testim me RT PCR. Dhe ditët e fundit janë shtuar dhe 3 specialistë të Mikrobiologjisë”.

Në Institut punojnë 29 mikrobiologë. Aty kanë thënë se nevojat bazike në situatë të zakonshme kërkojnë edhe 32 të tjerë. Po ashtu, kanë treguar nevojën edhe për 29 specializantë për Mikrobiologji Klinike në Prishtinë dhe rajone.

Lul Raka vlerëson se përballja e institucioneve shëndetësore me resurset ekzistuese dhe me kontekstin aktual të pandemisë është përtej parashikimeve, për të mirë. Ai tregon se numri i ulët i testeve nuk është kryekëput për shkakun e mungesës së kuadrit.

“Në gjendjen aktuale, rritja e numrit të testeve më pak ndërlidhet me resurse humane. Ajo është drejtpërdrejt në proporcion me numrin e testeve në dispozicion”, thotë Raka. “Thjesht, nuk ka teste edhe nëse kemi para për t’i blerë sepse secili shtet shikon oborrin e vet në këtë ditë”.

Situata nuk është më e mirë as me epidemiologë. Në Kosovë janë 22 epidemiologë për të gjithë vendin, profesionistë që vihen në vijën e parë të frontit në kohë epidemish e pandemish. Ekspertët vlerësojnë se Kosova ka nevojë edhe për së paku 17 të tillë në situatën pa qenë të atakuar me situata të prekura në shkallë të madhe nga virusët.

Arben Vitia, i cili është vu në krye të Ministrisë së Shëndetësisë në fillim të shkurtit, ka deklaruar këtë javë se epidemiologët e kanë rolin thelbësor në hulumtimin dhe mbikëqyrjen e rasteve dhe kontakteve, dhe si problem e ka theksuar numrin shumë të vogël të tyre.

“Janë pak ekipe të cilat punojnë 24 orë pa ndërprerë, nga 16 deri 18 orë punë disa nga ta”, ka thënë Vitia. “Natyrisht po kemi probleme, sepse ka mungesë të resurseve humane”.

Në këtë situatë, Ministria e Shëndetësisë e ka parë për zgjidhje mbylljen e popullsisë, duke ua lënë mundësinë të dalin vetëm një orë e gjysmë në ditë, sipas një formule që nuk lejon tollovi.

Instituti GAP merret vazhdimisht me analizimin e prioriteteve buxhetore, përkatësisht investimeve publike në sektorë vitalë për shoqërinë.

Berat Thaqi nga ky institut, thotë të mos ketë nevojë që të jesh analist i shquar që ta vëresh që përgjatë dy dekadave në shëndetësi është investuar pak, ndërsa është keqmenaxhuar shumë.

“Në një analizë buxhetore që e bëmë para pak ditësh, kemi parë që krahasuar me madhësinë e ekonomisë që e ka, Kosova shpenzon shumë më pak se mesatarja e vendeve të BE-së në shëndetësi. Në Kosovë, diku rreth sa 3.1 për qind e BPV-së shkon në investime publike në shëndetësi, ndërsa në BE kjo mesatare ishte 7 për qind”, thotë Thaqi. “Pra, ne kemi nën-investuar me vitet të tëra në shëndetësi, ndërsa i kemi dhënë prioritet kryesisht asfaltit”.

Prej dy dekadash, as diagnozë dhe as terapi nuk është gjetur për sistemin shëndetësor në Kosovë. Cilësia e shërbimeve ka njohur fare pak përparim që prej pasluftës. Institucionet e nivelit primar, sekondar e terciar janë zhvilluar jomjaftueshëm, ndërsa politikat qeveritare nuk kanë ofruar mbështetjen e nevojshme për to.

Qeveria, në Strategjinë e fundit të shëndetësisë, ka theksuar të mos jetë e mundur që me buxhetin i cili është në dispozicion për institucionet shëndetësore, të ofrohen stimulime për përmirësim të performancës, duke dhënë mesazh kështu që gjendja pak ka gjasë të përmirësohet. Edhe resurset në dispozicion për shërbimet shëndetësore publike janë më të ulëtat në Evropë.

Kësisoj, pandemia që prek kryesisht rrugët e frymëmarrjes, e ka gjetur Klinikën Infektive me vetëm gjashtë shtretër me respiratorë, që shërbejnë për rastet më të rënda nga mushkëritë. Kapacitetet ndërkohë janë rritur, por vendi vazhdon të mos jetë i përgatitur për një situatë kur ka masivizim të të prekurve.

Lul Raka thotë se pandemia gjithsesi se do të mund të menaxhohej edhe më mirë në Kosovë dhe tregon se çfarë duhet të bëjnë institucionet pasi të kalojë përballja me “murtajën moderne”.

“Presim reflektim gjithsesi. Sepse pas virusit do të kemi një rend të ri botëror. Pres që të ketë sigurime të shëndetit tonë. Veturat i sigurojmë çdo vit. Shëndeti ende është në pritje”, thotë ai. “Pres adresim të çdo kërcënimi dhe mangësie që është shpërfaqur gjatë epidemisë. Pres që për shëndetin tonë të vendosim ne vetë, e jo kompani as monopole sigurimesh. Alternativë e kësaj është të harrohet gjithçka dhe t’u kthehemi autostradave të reja”.