Arbëri

Kosovari detektiv në Kanada i flet në shqip komunitetit shqiptar gjatë pandemisë

Kosovari Fatbardh Maliqi, detektiv në Policinë e kryeqytetit Charlottetown në provincën e Prince Edward Island në Kanada, kishte planifikuar që në muajin prill të vizitojë Kosovën. Por, plani i tij u anulua shkaku i pandemisë Covid-19 dhe ai tash është në krye të detyrës në qytetin ku shkoi si refugjat në vitin 1999. E kërkesa që iu bë nga shefi i tij, që t’u drejtohej shqiptarëve në këtë provincë në gjuhën shqipe që të qëndrojnë në shtëpi, ishte befasi e mirë për të.

"Mesazhi është i dedikuar për popullin shqiptar në Kanada, mirëpo ishte befasi kur shefi i policisë më pyeti nëse mundem t’i jap mesazh popullit shqiptar në Kanada që të rrijë mbyllur”, ka thënë Maliqi.

Por, Maliqi është përkujdesur që secili komunitet në këtë provincë të komunikojë në gjuhën amtare me zyrtarë policorë kurdo që kanë nevojë për ndihmë, pasi me iniciativë të tij, gjatë kohës së pandemisë, policia e Charlottetoënit ka nisur një projekt, ku ka angazhuar përkthyes dhe secili qytetar mund të kontaktojë me policinë në gjuhën e tyre.

“Provinca ku jetoj unë ka shumë të ardhur. Dhe shumica nuk flasin anglisht dhe kanë frikë prej autoriteteve të shtetit sidomos prej policisë. Për këtë arsye kemi filluar këtë projekt që t’i ndihmojmë dhe që t’u tregojmë se policia në Kanada është për t’u ndihmuar atyre", ka thënë ai, raporton KOHA.

Ai thotë se shkaku i masave të ndërmarra në këtë provincë, aktualisht janë vetëm 26 raste - prej tyre 23 janë shëruar.

“Mesazhi im është që popullim im t’u përmbahet këshillave të shtetit, të mbajë distancën dhe të gjitha masat, pasi këtu në provincën time kanë pasur efekt", ka thënë Maliqi.

Maliqi, gjatë këtij muaji, kishte planifikuar të qëndrojë në Kosovë për të përkujtuar vëllain Florinin, i cili kishte rënë në betejën e Koshares në vitin 1999.

Fatbardh Maliqi gjatë vitit 2007 ka punuar për Policinë Federale, ndërsa aktualisht është i angazhuar si detektiv në Departamentin për krime të rënda.