Arbëri

Limaj thotë se Nisma është e gatshme të japë kontributin në një qeveri uniteti

Foto: KOHA

Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka thënë se partia e tij është e gatshme të japë kontributin e saj në një qeveri uniteti.

Në televizionin publik të Kosovës, ai ka thënë se për momentin duhet të priten hapat e presidentit Thaçi rreth emrit të mandatarit.

Limaj thotë se Nisma si parti kërkon të respektohet verdikti i Kushtetutës që mandatari t’i kërkohet partisë së parë në zgjedhje – në këtë rast Lëvizjes Vetëvendosje.

“Qëndrimi për të shkuar në zgjedhje ose jo, është qëndrim legjitim politik. Presidenti pas shkarkimit të qeverisë me 82 vota, ka ftuar partitë politike për të kuptuar vullnetin për të shkuar në zgjedhje apo gjetjen e një zgjidhje tjetër. Konsultimi është obligim, pasi zgjedhjet nuk mund të shpallen pa vullnetin e shumicës së deputetëve të Kosovës. Presidenti ka respektuar vendimin e Kushtetueses për t’ia ofruar mandatin LVV-së si parti fituese për emrin e mandatarit”, tha Limaj duke iu referuar letrës së tretë që sot presidenti Hashim Thaçi i ka dërguar Albin Kurtit për të dërguar emrin e mandatarit, transmeton Kosovapress.

Ndërkohë që Lëvizja Vetëvendosje kërkon zgjedhje vetëm pas pandemisë me koronavirus, ish-partneri i saj i koalicionit qeverisës, LDK, ka kërkuar nga Këshilli i saj i Përgjithshëm që të tregojë nëse është për opsionin e një qeverisjeje të ardhshme pjesë e së cilës do të ishin AAK, NISMA-AKR dhe komunitetet.

Përgjigja ka qenë pozitive nga Këshilli i Përgjithshëm i LDK-së, ndërsa kryetari i Nismës pranon se si parti do ta japin kontributin për të shkuar drejt një qeverie të unitetit dhe për të vazhduar mandatin e saj.

“Nëse vjen deri aty, ne do të japim kontributin tonë”, tha Limaj.