Arbëri

Kosova dhe fqinjët: Maqedonia kryeson për nga numri i testimeve për kokë banori

Foto: Reuters

Në kohë pandemie, testet për koronavirus dhe respiratorët janë deficitarë në gjithë botën dhe të dyja mund të jenë shpëtim për pacientët e prekur me Covid-19: të parët për të zbuluar më herët infeksionin, kurse të dytët për të ndihmuar pacientët në frymëmarrje në fazat e vonshmë të sëmundjes.

Shtetet që kanë testuar banorët në masë, si Gjermania e Koreja e Jugut ndër të tjera, ia kanë dalë të menaxhojnë shumë më mirë situatën, raporton KOHA.

Kosova nuk testuar në masë, vazhdon të testojë vetëm ata që paraqitën në Infektivë me simptoma dhe nëse rezultojnë pozitivë, atëherë edhe kontaktet e tyre.

Deri më tash, sipas raportit të fundit të Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik, janë kryer 3.547 teste, që i bie 1.970 për një milion banorë nëse llogariten se në Kosovë jetojnë rreth 1.8 milionë banorë.

Në këtë statistikë, krahasuar me vendet fqinje, Kosova qëndron në mes. Më mirë se ajo me teste qëndrojnë Maqedonia dhe Serbia, kurse më keq Shqipëria dhe Mali i Zi.

Maqedonia kryeson me teste për kokë banori. Ajo numëron pak mbi dy milionë banorë dhe deri më tash ka kryer 9.762 teste apo 4.648 për një milion banorë.

Serbia ka numrin më të madh të testeve por edhe të popullatës. Me pak më pak se shtatë milionë banorë, Serbia ka kryer 26.278 teste apo 3.754 për një milion banorë.

Më pak se Kosova ka kryer teste Shqipëria e shumë më pak Mali i Zi, gjithnjë duke llogaritur ato për kokë banori.

Shqipëria me 2.85 milionë banorë ka kryer 4.558 teste apo 1.559 për një milion banorë.

Instituti i Shëndetit Publik në Mal të Zi nuk ka dhënë detaje se sa teste ka kryer për koronavirus deri më tash, por ka njoftuar se po teston 1.141 persona për një milion banorë. Me 631 mijë banorë i bie se ka kryer 720 testime deri më tash.

Sa u përket të infektuarve, Serbia është më e goditura me 4.873 të infektuar e 99 të vdekur, pason Maqedonia me 974 të infektuar e 45 të vdekur, Shqipëria me 494 të infektuar e 25 të vdekur dhe Mali i Zi me 288 të infektuar e 4 të vdekur.

Kosova ka shënuar 377 të infektuar dhe 9 të vdekur si pasojë e Covid-19.