Partitë politike nënshkruajnë deklaratë për transparencë financiare

Partitë politike nënshkruajnë deklaratë për transparencë financiare

29 maj 2017 13:01

Partitë politike kanë nënshkruar deklaratën, për rritjen e transparencës financiare, gjatë fushatës zgjedhore.

Shpend Emini nga Instituti Demokracia në Zhvillim tha se mungesa e auditimit, është e dëmshme për proceset demokratike në Kosovë dhe se ky problem, është adresuar dhe nga Komisioni Evropian në Raportin e Progresit, transmeton Koha.net. Ndërsa i bëri thirrje Kuvendit që në mandatin e ardhshëm të inicioj procedurat për përzgjedhjen e auditorëve, që të bëjnë auditimin e raporteve financiare të subjekteve politike, ashtu siç është paraparë me ligj.

“Kryerja e auditimit, kontrollit dhe zbardhja e fondeve te financimit të partive politike, do të ishte hap i madh drejt transparencës dhe llogaridhënies të subjekteve politike. Auditimi i rregullt i partive politike në Kosovë, është në interes të procesit të demokratizimit, ngaqë çdo shpenzim dhe pranimi i parasë nga partitë politike, duhet t’i nënshtrohet mekanizimit mbikëqyrës të Kuvendit të Kosovës, për t’u siguruar se paratë janë menaxhuar në harmoni me ligjet në fuqi që e rregullojnë këtë fushë. Deklarata që nënshkruhet sot, dëshmon vullnetin e partive politike, që të marrin hapa në rritjen e transparencës financiare. Është obligim i partive politike, që të jenë model për shoqërinë, duke ofruar hapjen e tyre karshi publikut edhe në aspektin financiar. Kjo hapje do të ndryshonte perceptimin e qytetarëve karshi subjekteve politike, duke i shfaqur para publikut, më transparente dhe llogaridhënëse”, tha Emini.

Image

Ndërkaq, kryetarja e KQZ-së Valdete Daka tha se nënshkrimi i kësaj deklarate i kontribuon një procesi të mirëfilltë zgjedhor dhe zhvillimit të demokracisë, përmes rritjes së transparencës.

“Shpresoj shumë që Kuvendi i ardhshëm që do të dalë nga këto zgjedhje, do t’i marrë kompetencat e veta, të cilat edhe deri më tani i ka pasur dhe askush se ka ndaluar të bëjë auditimin e fushatës zgjedhore, për zgjedhjet e vitit 2013-2014 dhe ta bëjë atë sipas ligjit. Transparenca është një prej themeleve të demokracisë dhe shpresoj që këtë herë subjektet politike edhe pse ndoshta ka ndonjë paqartësi në ligj, vet do t’i bëjnë publike raportet financiare, të cilat ne si KQZ vetëm i pranojmë dhe pastaj i dërgojmë në Kuvendin e Kosovës. Pres nga subjektet politike dhe nga këtu i ftoj subjektet politike që ta zbatojnë ligjin, t’i bëjnë publike shpenzimet e fushatës zgjedhore, të gjitha paratë të cilat janë marrë, nga kush janë marrë dhe si janë shpenzuar gjatë fushatës zgjedhore. Sepse vetëm kështu do të kemi transparencë të plotë t ë kësaj fushate zgjedhore”, tha Daka.

Luigi Brusa, nga zyra e BE-së në Kosovë tha se rritja e transparencës, rrit dhe besimin e elektoratit.

Image

“Kjo deklaratë do të rris transparencën financiare gjatë procesit të zgjedhjeve. Llogaridhënia publike mbështetet ne transparencën “beso dhe verifiko”. Kjo është e rëndësishme për partitë politike, që të fitojnë besimin e elektoratit. Presim proces zgjedhor, të drejtë të lirë dhe kredibil. Iu bëjmë thirrje partive, që fushata te kryhet në pajtim me standardet demokratike. Zgjedhjet mbahen në kohë kritike për Kosovën, pasi janë reformat e saj lidhur me BE-në dhe gatishmëria e BE-së për te ofruar vëzhgues tregon sa është ky proces i rëndësishëm për BE-në.Të forcohet mbikëqyrja dhe kontrolli financiar, transparenca dhe auditimet e pavarura. Hapat e partive politike, iu inkurajoj ta respektoni këtë marrëveshje, pasi që është në interes te zgjedhjeve te lira dhe të drejta, për një fushatë llogaridhënëse të financimit të partive politike. Kjo pjesëmarrje e partive politike do të je te garancë, që ky nënshkrim të jetë një veprim, qe do t’i jap besim popullit në Kosovë”, tha ai.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme