Arbëri

Bregasi, Jakupi e Dobruna bëjnë krahasimet mes vendeve ku jetojnë dhe Kosovës gjatë pandemisë

Shkrimtarja nga Livorno e Italisë, Majlinda Bregasi, në emisionin DESKU të KTV-së, ka folur për gjendjen në të cilën gjendet vendi ku ajo jeton si pasojë e koronavirusit.

Ajo tha se tashmë qytetarët janë mësuar me këtë gjendje të izolimit. Bregasi tha se në qytetin ku ajo jeton, masat janë të njëjta me të gjithë vendin.

Fillimisht ajo tha se masat u ndërmorën vetëm për rajonin e Lombardisë, por para se të merreshin këto masa, studentët që ishin në këtë rajon, kaluan nëpër pjesët tjera të Italisë duke e shpërndarë kështu virusin gjithandej.

Kjo masë, sipas saj, pastaj u ndërmor edhe në pjesët tjera të vendit për të frenuar numrin e të infektuarve.

“Tani numri i të infektuarve ka rënë. Problematike është ende Lombardia, Milano, që është qytet me dendësi të madhe. Në Livorno nuk ka kufizim të lëvizjes sikurse që ka tani në Kosovë. Por, lejohet vetëm 1 person për familje të dalë kur të dojë, por në një distancë shumë të kufizuar”, tha Bregasi.

Ajo tha se kur policia i ka kapur njerëzit që kanë pasur autorizim për punë, por që është konstatuar se ata s’kanë shkuar në punë, gjobat ndaj tyre kanë qenë shumë rigoroze, e sidomos për ata që janë të infektuar – dënimet shkojnë deri në 21 vjet burg.

Bregasi tha se tashmë njerëzit nuk dalin, ka shumë pak lëvizje, dhe se mbledhja më e madhe e njerëzve është para dyqaneve ushqimore, por edhe aty ka distancë mes njerëzve.

Ajo tha se edhe nëse shkon në dyqan me doreza dhe maskë, në dyqan u detyrojnë t’i hiqni ato e t’i merrni tjerat që i ofrojnë vetë dyqanet. Kjo për të shmangur përhapjen e virusit.

Artisti shqiptar që jeton në Barcelonë, Gani Jakupi, tha se masat në Spanjë janë goxha të ngjashme me ato të Italisë.

Në emisionin DESKU të KTV-së, Jakupi tha se dy persona nuk lejohet asnjëherë të dalin bashkë, qofshin ata familjarë apo jo.

“Reagimi edhe në Spanjë e edhe në Itali ka qenë i vonshëm. Për këtë arsye kemi kaq shumë viktima. Natyrisht se tani po kemi rënie të rasteve, sepse kanë vdekur shumë dhe këto vdekje e kanë stopuar përhapjen e virusit. Ka munguar disiplina e qytetarëve në Spanjë. Po e shoh se në Kosovë po kritikohen disa sjellje, por në Spanjë sjelljet kanë qenë shumë më dramatike. Kur ka diskutuar qeveria për vendosjen e masave preventive, kanë folur një të premte, dhe kanë thënë se nesër do ta vendosim izolimin. Në vend se ta mbanin të nesërmen mbledhjen në 12, ka zgjatur deri në 5 në mbrëmje, dhe njerëzit janë zhvendosur nëpër bregdet e male, duke e shpërndarë kështu virusin. Andaluzia, që s’ka pasur asnjë të infektuar, tash ka mbi 10 mijë”, tha Jakupi.

Sipas tij, përgjigja ndaj koronavirusit në SHBA ka qenë më e dobëta dhe më e keqja e mundshme, “prandaj edhe e kanë këtë numër kaq të madh të të infektuarve”.

Kujtim Dobruna, ekonomist që jeton në Luzern të Zvicrës, tha se vendi ku jeton ai, nuk është se ka pak të infektuar në krahasim me numrin e banorëve.

“Në raport me numrin e banorëve, Zvicra ka më pak raste se Spanja, por më shumë se Italia. Janë rreth 26 mijë të infektuar, që është numri i dytë më i lartë i të infektuarve për 1 milion banorë në Evropë. Rastet e para kanë ardhur në ditët e para të marsit. Rajoni jug-perëndimor ka qenë më i godituri, pra kantonet që kufizohen me Francën dhe Italinë. Një numër i madh i infektimeve kanë ardhur nga Italia, nga rajoni i Ticinos, që është Zvicra italiane, ku punojnë me mijëra italianë që gjatë ditës kalojnë kufirin. Por, reagimi i qeverisë federale ka qenë relativisht i shpejtë, me përjashtim të faktit se ka hezituar t’i mbyllë kufijtë. Kjo është bërë për shkak të ekonomisë. Po të mbylleshin kufijtë, rreziku për një ndërprerje të ciklit të menjëhershëm ekonomik, të paktën në këto rajone kufitare, do të ishte shumë i madh. Janë ndërmarrë disa masa, si p.sh. shpallja e gjendjes së jashtëzakonshme. Këtu masat nuk janë aq strikte si në Kosovë e në vendet tjera, pra këtu ndalohet mbledhja e mbi 5 personave dhe kërkohet mbajtja e një distance prej 2 metrave. Ata që s’i respektojnë këto masa, do të gjobiten, por gjobat s’janë aq drakonike - me nga 100 franga për person. Edhe këtu rekomandohet që daljet të mos jenë të panevojshme. Fatmirësisht, numri i të infektuarve po bie vazhdimisht, edhe pse kufijtë vazhdojnë të jenë të mbyllur”, u shpreh ai.

Sipas tij, situata me pandeminë në aspektin politik në Zvicër nuk është shfrytëzuar aspak.

“Zvicra është një demokraci e etabluar, shtet me traditë të moçme me demokraci direkte. Ka një qeveri shumë të vogël, por shumë funksionale, dhe para së gjithash e ka një kontratë sociale të qytetarëve ku posaçërisht në momente të vështira sikur ky, lihen anash të gjitha konfliktet nëse mund ët quhen të tilla në Zvicër, dhe të fokusohen në problemin. Zvicra s’ka pasur këso krizash të mëdha, s’ka qenë e përfshirë as në dy luftërat botërore. Kriza më e madhe që e ka përjetuar ka qenë kriza financiare e 2008, të cilën e ka kaluar mjaft mirë”, tha Dobruna.

Artisti Gani Jakupi tha se përplasjet politike mes Madridit dhe Katalonjës në këtë kohë pandemie veçse janë acaruar.

“Sa i përket relacionit me Kataolonjën, ka vazhduar të jetë dramatik dhe i acaruar, sepse Katalonja dhe regjioni i Madridit, kanë qenë më të prekurit. Në Katalonjë kanë qenë më të shpejtë në reagim, dhe i kanë izoluar dy katunde ku janë paraqitur viktimat e para, ku ka pasur raste masive. Por, nga Madridi ka ardhur vendimi duke iu thënë se s’keni të drejtë e kompetenca të izoloni një katund, në territor të vetin. Para pak ditësh, erdhi një numër i maskave, sepse tash Madridi po i centralizon të gjitha, pak a shumë atë që donte ta bënte Thaçi në Kosovë, me ushtri e me polici... ua kanë dërguar qeverisë katallanë një numër të caktuar të maskave që e përkujtojke datën 1492 kur e kanë pësuar disfatën e tyre nga Mbreti i Spanjës. Detaje simbolike, goxha të pista. Por, ka diçka shumë me rëndësi. Diçka që mund të krahasohet me situatën në Kosovë. Këtu në qeveri është partia socialiste në koalicion me partinë PODEMOS, që janë shumë të majtë se VV, diku kah SYRIZA, e në opozitë janë partitë e djathta tradicionale, sikurse LDK-ja, dhe VOX që është parti neo-fashiste. VOX ka kërkuar që të shpërndahet qeveria e tashme e të krijohet një qeveri emergjente. Por s’i përkrahu askush”, tha Jakupi.

Shkrimtarja Bregasi, duke folur për situatën politike në Itali gjatë pandemisë, tha se vendi është i polarizuar shumë politikisht. Por, me fillimin e krizës, ajo tha se pati zbutje të qëndrimeve.

“Opozita ka bashkëpunuar shumë me qeverinë. Por, kohët e fundit është ringjallur pak konflikti mes tyre dhe shkaku është kriza ekonomike dhe ajo mospasja e mbështetjes nga Evropa, mbështetjen që e ka pritur Italia, veçmas nga Gjermania e Holanda. Kjo ka shkaktuar tension, qoftë mes pozitës e opozitës, por edhe vetë Kontes. Sot lexova se Konte gati sa ka kërcënuar për daljen e Italisë nga Evropa”, tha ajo.

Por, ajo tha reagimi i popullit është më interesanti. “Qarkullojnë mesazhe që të mos blihen produkte që s’janë italiane. Blini vetëm në dyqane të vogla pranë shtëpive. Shumica e njerëzve preferojnë të zgjedhin dyqanin e vogël afër shtëpisë, edhe pse mund t’i kenë çmimet më të larta. Ata janë posaçërisht kundër rrjeteve të marketeve”, u shpreh Bregasi.

Për situatën politike në Kosovë, me rrëzimin e qeverisë në kohë pandemie, Bregasi tha se “Kosova është sui-generis, sepse është qeveria e vetme që u shkarkua në këtë periudhë”.

“Kosova ishte shumë e vonuar me të gjitha masat që i ndërmori, sikur të jetonte në një planet tjetër. Kësaj gjendjeje i ka ndihmuar një diskurs aq radikal sa është i papranueshëm edhe në një situatë normale. Sot ai diskurs radikal nga të gjitha partitë politike të krijon një depresion, kur sheh se askush s’tenton të krijojë ura. Në këtë periudhë pandemie, gjëja e parë që politikanët e Kosovës duhet të bëjnë për veten e tyre më së pari, sepse populli do t’i dënojë për këto që i bëjnë, por edhe në kanë pak një lidhje empatie me votuesin, duhet të zbusin diskursin politik dhe të gjejnë rrugën e bashkëpunimit ose komunikimit. Ata e kanë ndërprerë komunikimin”, u shpreh Bregasi.

Artisti Gani Jakupi tha se shteti evropian që ka reaguar më së shpejti ndaj pandemisë është Kosova.

“Rrëzimi i qeverisë ka qenë akt kriminal në një moment pandemie, dhe pandemi të këtillë s’ka pasur qe 100 vjet. Thaçin e kuptoj se duhet të bëjë gjithçka për të shpëtuar, por politikanët tjerë kanë mundur ta rrëzojnë këtë qeveri pas 2-3 muajve, por të gjithë ata që morën pjesë në rrëzimin e kësaj qeverie në këtë moment kanë bërë akt kriminal. Populli do t’i ndëshkojë me vota, por unë mendoj se duhet të ketë edhe ndëshkime gati se penale për ta”, potencoi ai.

Ekonomisti Dobruna tha se edhe pa koronavirusin, gjithë ekonomia botërore ka qenë para një recesioni të ri.

“Pasojat e kësaj situate do të jenë të mëdha dhe do të kenë ndikim të madh, sidomos të vendet në zhvillim dhe te ato vendet e pazhvilluara. Në rastin e Kosovës duhet pasur parasysh që gjendja ekonomike edhe ashtu s’ka qenë e mirë. Nuk është arritur asnjë që zhvillimi ekonomik të ketë për bazë zhvillimin e sektorit privat. Në bazë të dhënave të para krizës, rreth gjysma e ndërmarrjeve private të Kosovës kanë qenë para rrezikut të falimentimit për shkak të mungesës së qasjes në treg edhe në financa, dhe rreth 70 për qind të këtyre ndërmarrjeve s’kanë shënuar rritje të qarkullimit në 3 vitet e fundit. Pastaj, gjysma e ndërmarrjeve janë ndërmarrje që punësojnë vetëm një person. Kjo mbyllje totale ekonomike do ta rëndojnë barrën financiare për ndërmarrjet, sepse ato s’gjenerojnë më të hyra. Për shkak të shpenzimeve, duhet të detyrohen të kursejnë, dhe një nga linjat ku kursehet është te fuqia punëtore, shumica e ndërmarrjeve do të detyrohen të largojnë punëtorë nga puna. Është problem shumë serioz sepse sjell një zinxhir të problemeve tjera sociale dhe ekonomike”, tha Dobruna në emisionin DESKU të KTV-së.