Arbëri

Vetëvendosje e cilëson kriminale marrëveshjen midis PTK-së dhe Z-Mobile

Descriptive Text

Vetëvendosje e konsideron kriminale marrëveshjen midis PTK-së dhe Z-Mobile, sipas të cilës kjo e fundit ia falë PTK-së 32 milionë euro, me të cilat e kishte ndëshkuar arbitrazhi ndërkombëtar, transmeton Koha.net.

Në një konferencë për medie rreth kësaj marrëveshjeje, kandidati për kryeministër i Lëvizjes Vetëvendosje, tha se do ta shpall gjendjen e krizës në PTK, nëse do t’i fitojë zgjedhjet e 11 qershorit..

Anëtari i Lëvizjes Vetëvendosje, njohës i fushës me përvojë vendore e ndërkombëtare, profesor Ismet Hamitit, thotë:

Ditëve të fundit publiku është bombarduar me lajmin se PTK paska arritur marrëveshje me të cilën Z-Mobile paska hequr dorë nga shuma e fituar në arbitrazh duke e shpëtuar kështu PTK-në nga falimentimi. Ky është një mashtrim i madh i radhës që i bëhet publikut. E vërteta është se me këtë marrëveshje “shpëtimtare” PTK ia dhuron Z-Mobile së paku 136 milionë më shumë se shuma e përcaktuar nga “arbitrazhi”.

Për dhjetë vjet rresht është vënë në dukje se kontrata e PTK me Z-Mobile është një mekanizëm për plaçkitjen e pasurisë publike me përmasa të mëdha. Kemi vënë në dukje po ashtu se ekzistenca e kësaj kontrate është produkt i krimit te organizuar, që për nga dëmi i shkaktuar interesit publik dhe numrit të individëve të përfshirë, është krimi më i madh ekonomik në Kosovën e pasluftës. Kemi treguar përgjegjësit për ekzistencën e kësaj kontrate dhe është ushtruar kallëzim te prokurori i shtetit ku, në mënyrë te hollësishme, është paraqitur anatomia e këtij krimi. Kallëzimi është bërë publik në letrën e hapur drejtuar prokurorit të shtetit, të cilin mund ta gjeni me titull “Letër pa Zarf”.

Marrëveshja “shpëtimtare” i rritë në mënyrë dramatike përmasat e këtij krimi dhe për të ilustruar këtë, po i sjell këtu disa elemente të saj:

“Arbitrazhi” e ka ngarkuar PTK-në me shumën 32 milionë EUR dhe me këtë marrëveshje Z-Mobile gjoja hequr dorë nga kjo shumë.

Në këmbim te kësaj PTK obligohet:

-t’i jep Z-Mobile edhe 100.000 klientë (ne total 300.000);

-t’i jep Z-Mobile shërbimet 3G dhe 4G, për të 300-mije klientët të cilët më parë nuk i kishte;

-për tetë vite me radhë, Z-Mobile nuk do t’i paguajë asnjë cent PTK- se për te gjithë segmentin e klientëve që përdorë, me shërbimet telefonike dhe internetin 3G dhe 4G. (Përderisa me kontratë, Z-Mobile, te paktën, paguante PTK-së 27% të të hyrave nga numrat e Z-Mobile);

-kontrata vazhdohet në heshtje edhe për gjashte vjet tjera, ndërkohë qe duhej te ri- negociohej ne vitin 2019.

Pasojat financiare të zbatimit të kësaj marrëveshjeje për PTK-në do të jenë:

-Humbja e 100.000 klientëve shtese, qe i bie 300.000 klientë në total, përkatësisht rreth 30% e klientëve të vet. Sikur këta 300.000 klientë të shpenzonin vetëm nga 2 EUR ne muaj, për tetë vite, kjo shume arrin 57.6 milion EUR, përmbi 25 milion më shumë se shuma e përcaktuar nga arbitrazhi;

Por kalkulimi që mbështetet në vlera real, pra jo të supozuara, është ky: Numri i klientëve prej 300.000 paraqet rreth 30% të klientëve qe ka aktualisht Vala. Te dhënat financiare tregojnë se te hyrat e Vala-s janë rreth 70 milion EUR ne vit. 30% te 70 milion janë 21 milion EUR, që për tete vjet bëjnë 168 milion EUR. Kjo i bie se PTK do të paguaj rreth 136 milion më shumë se shuma e përcaktuar nga arbitrazhi.

Ka edhe pasoja te tjera, po aq te renda, si p.sh.: mos pagesa e rreth 9 milion EUR nga ana e Z-Mobile, që janë shpenzimet qe PTK i paguan Monaco Telecom për numrat qe i shfrytëzon Z-Mobile, por për shkak te natyrës se kësaj paraqitjeje, nuk mund te numërohen të gjitha.

Si përfundim, Z-Mobile sipas marrëveshjes “shpëtimtare” hjek dorë nga 32 milionët e arbitrazhit për të fituar 136 milionë të pastra, pa përfshirë përfitimet tjera që u numëruan më lartë. Tash, gjykoni vet, a është kjo marrëveshje shpëtim i PTK-se, siç po trumbetohet e trumbetohet, apo rrenim përfundimtar i saj?

Duke pasur parasysh gjendjen financiare te PTK-se, zbatimi i kësaj marrëveshjeje do ta falimentoj PTK- ne, me se largu brenda dy viteve.

Kjo marrëveshje është vepër e një individi (nëse nuk i përfshijmë ata që qëndrojnë prapa tij) dhe nuk është e aprovuar nga Bordi i PTK-se, sepse aktualisht, PTK nuk ka Bord.

Kush janë përgjegjësit?

Përgjegjësit për ekzistencën e kontratës me Z-Mobile janë treguar në kallëzimin te prokurori i shtetit. Për mbajtjen në jetë të saj dhe për marrëveshjen “shpëtimtare” për të cilën po flasim, përgjegjës të drejtpërdrejtë janë Kryeministri ne detyre Isa Mustafa dhe vartësit e tij ministri në detyre i financave Avullah Hoti dhe ministri në detyrë i zhvillimit ekonomik Blerand Stavileci.

Është detyrë dhe obligim i tyre të suspendojnë menjëherë dhe pa asnjë shtyrje kontratën e PTK-së me Z-Mobile.

Ndërsa Albin Kurti, kandidati i Vetëvendosjes për kryeministër të Kosovës, Albin Kurti, u shpreh:

Profesor Ismet Hamiti sot denoncoi një marrëveshje shtesë kriminale që i është bashkëngjitur kontratës së dikurshme kriminale midis PTK-së dhe Z-mobile. Qeveria e Lëvizjes Vetëvendosje, pas zgjedhjeve të 11 qershorit, do ta shpall gjendjen e krizës në PTK, do ta emëroj menaxhmentin e krizës në PTK, do ta bëj ristrukturimin e PTK-së, në mënyrë që PTK-në ta shndërroj në shtyllë të rëndësishme të zhvillimit ekonomik e të buxhetit të Republikës.