Arbëri

Polici që goditi 21-vjeçarin i cili pësoi sulm në tru, është hetuar edhe për korrupsion e vjedhje

Polici i cili është arrestuar për dyshimet se si pasojë e goditjeve e ka rrezikuar paralizimin e një 21-vjeçari ishte i përfshirë dhe ka pasur edhe më herët raste të hapura.

Siç ka mësuar KOHA, ai ishte i përfshirë në dy raste të aksidentit të trafikut, por është hetuar edhe për vjedhje e keqpërdorim të detyrës zyrtare.

KOHA ka kërkuar nga Policia e Kosovës përgjigje për statusin e rastit, por ata kanë thanë se nuk kanë të drejtë ta bëjnë një gjë të tillë.

Në prokurori nuk kanë kthyer përgjigje.

Një javë më parë, polici me inicialet R.A dyshohet se e ka rrahur një 21- vjeçar, i cili një ditë pas këtij rasti ka pësuar sulm në tru.

Gjendja e tij tani është stabile falë funksionalizimit të “Stroke Center” në QKUK. Vitin e kaluar është funksionalizuar ky shërbim. Deri tani personat që kanë pësuar sulm në tru nuk kanë pasur mundësi për intervenim jokirurgjik, siç ndodh në këtë shërbim.

Drejtori i Klinikes së Radiologjisë, Bujar Gjillo, ka shpjeguar gjendjen e këtij pacienti.

Pacienti pas sulmit në tru rrezikohej nga paraliza e anës së djathtë, i cili kishte vështirësi të mëdha në artikulim.

Gjikolli ka thënë se tashmë këto rreziqe janë eliminuar dhe pacienti është në gjendje të mirë.

Të mërkurën Inspektorati Policor i Kosovës ka arrestuar zyrtarin policor.

Sipas dëshmive të këtij institucioni, viktima dhe i dyshuari kanë pasur fjalosje edhe para më shumë se një muaji.

Polici e ka pranuar në hetuesi që e ka goditur, por ka thënë se edhe viktima e ka goditur atë.

Fillimisht rastin, siç ka mësuar KOHA nga burimet, e ka denoncuar viktima e një ditë më pas edhe polici e ka denoncuar 21-vjeçarin.

Në nëntëmujorin e parë të vitit 2019, në Inspektoratin Policor të Kosovës janë dërguar gjithsej 1030 ankesa për zyrtarët policorë në Kosovë. Prej këtyre ankesave, 651 janë dërguar në Departamentin e Hetimeve, në Inspektorat.