Arbëri

Bordi i Telekomit sqaron pse dështoi mbledhja e paraparë, prania e policisë thonë ishte për kolegët nga Posta

Foto: Koha

Për disa orë rresht pjesëtarë të shumtë të Policisë së Kosovës kanë qëndruar brenda dhe jashtë dy objekteve, atij të Postës dhe Telekomit.

Bordet e të dyja këtyre institucioneve pritej që të mbanin mbledhje gjatë ditës.
Derisa ka dështuar mbajtja e mbledhjes së Bordit të Përkohshëm të Telekomit, ai i Postës ka shkarkuar menaxhmentin e ndërmarrjes.

Ministrja në detyrë e Ministrisë së Ekonomisë, Rozeta Hajdari, ka arsyetuar shkarkimet me faktin që, sipas saj, Posta është degraduar në 3 vjetët e fundit, raporton KOHA.

Hajdari ka thënë se 2 milionë euro humbje në vitin e fundit ka pasur kjo ndërmarrje.

Kryesuesi i këtij bordi, Mentor Arifaj, ka numëruar një varg shkeljesh që, sipas tij, janë bërë në këtë ndërmarrje, e për të cilat tha se janë faktuar edhe nga Zyra e auditorit.

Arifaj ka thënë se Bordi ende nuk ka marrë vendim për punësimet që janë bërë në Postë.

Përmes një reagimi drejtuar mediave kanë reaguar kryeshefi ekzekutiv i Postës, Shefqet Avdija, dhe drejtori kryesor financiar, Behxhet Maliqi.

Avdija dhe Maliqi shkarkimin e tyre e kanë quajtur politik dhe të paligjshëm derisa kanë thënë se Bordi ka qenë ai i cili ka përfshirë Policinë e Kosovës brenda objektit të Postës.

Derisa mbledhja e Bordit të Telekomit nuk u mbajt fare.

Burime të KTV-së kanë deklaruar se pikërisht në rend dite ishte shkarkimi i kryeshefit dhe drejtorit financiar, porse votimi i tyre ishte në pikëpyetje për shkak të pozicionimit të të dy anëtarëve të Bordit që, sipas informacioneve, janë të afërt me LDK-në e që nuk pritej të votonin njëjtë si dy anëtarët e tjerë që kanë afërsi me VV-në.

KTV-ja ka kontaktuar me kryeshefin e Telekomit, Bedri Istrefi, i cili ka thënë të mos jetë në dijeni se në agjendë të Bordit parashihej shkarkimi i tij.

Zyrtarë të Telekomit e kanë shprehur revoltën e tyre për rrethimin e objektit, pasi, sipas tyre, prania e Policisë së Kosovës ua kujton atyre kohërat e ish-pushtetit.

Bordi i Telekomit ka sqaruar se pse ka dështuar mbajtja e mbledhjes, por, sipas tyre, prania e forcave policore ishte për kolegët e tyre nga Posta.