Arbëri

Gjykatat e Kosovës janë duke funksionuar por me reduktim të aktiviteteve gjyqësore

Foto: Koha / ilustrim

Të gjitha Gjykatat e Kosovës janë duke funksionuar në pajtim me vendimin e Këshillit Gjyqësor të Kosovës, por me reduktim të aktiviteteve gjyqësore.

Në një njoftim për media, theksohet se Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGjK), nën masat e mbrojtjes nga pandemia Covid-19 ka mbajtur takimin e 231-të me radhë, nën udhëheqjen e kryesuesit, Skënder Çoçaj, me ç’rast janë diskutuar dhe miratuar pikat sipas rendit të ditës.

Takimi filloi me diskutimin rreth gjendjes aktuale me situatën Covid-19 në sistemin gjyqësor në përgjithësi dhe ndikimin e saj në punën e gjykatave të vendit, ku u konstatua se të gjitha objektet e gjykatave të vendit janë dezinfektuar, gjykatat janë duke funksionuar në pajtim me vendimin e KGjK për reduktimin e aktiviteteve gjyqësore, ku janë duke u trajtuar të gjitha rastet urgjente që paraqiten në gjykata, gjithashtu u diskutua edhe çështja e përgatitjes së planit të veprimit për trajtimin e lëndëve të cilat mund të parashkruhen me parashkrim absolut deri në fund të vitit 2020.

Anëtarët e KGjK-së aprovuan njoftimin e Departamentit të Administratës së Përgjithshme - SKGjK, për pensionimin e gjyqtarëve.

“Sa i përket raporteve disiplinore të dërguara nga panelet hetimore, Këshilli mori vendim që të pezullohen të gjitha çështjet e këtyre raporteve deri në njoftimin e radhës”, thuhet në njoftim.

Në njoftim thuhet se Këshilli aprovoi edhe planet e punës të Komisionit për Administrimin e Gjykatave dhe Komisionit për Çështje Normative.

“Po ashtu në këtë takim u formuan panelet hetimore për gjashtë raste disiplinore, ndërsa u aprovuan dy kërkesa për shtyrjen e afatit të hetimeve për shkak të gjendjes së krijuar me Covid-19”, përfundon njoftimi.