Arbëri

Bajrami thotë se sfidë e mësimit në distancë mbetet vlerësimi i nxënësve

Ministrja në detyrë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Hykmete Bajrami, ka thënë se mësimi në distancë është duke ecur sipas parashikimeve të MASHTI-t.

Ajo në Interaktiv të KTV-së ka thënë se ka një aktivizim masiv nga ana e mësimdhënësve, nxënësve e prindërve për mësimin në distancë.

“Besoj që po ecën mirë meqenëse nga e hëna e kemi filluar pothuajse me orar të plotë duke përfshirë kështu mësimin për klasat 1 deri në 9, për 70 për qind të lëndëve, të cilat janë duke u transmetuar në RTK. Nga java e kaluar ka filluar mësimi edhe në shkollat profesionale dhe universitete”, ka thënë ajo.

Ndër sfidat kryesore me të cilat po ballafaqohen, ajo thotë se është vlerësimi i nxënësve.

“Kjo është një nga sfidat që po ballafaqohemi. Sa i përket klasave 1-9 pjesën më të madhe të periudhës së dytë nxënësit e kanë kaluar në shkollë, por është pjesa e tjetër që duhet të vlerësohet përmes detyrave të shtëpisë. Është formuar një grup i ekspertëve të cilët me vite të tëra merren me arsim dhe janë duke përgatitur një udhëzues për vlerësimin online. Nuk është e lehtë për shkak edhe të laramanisë së programeve. Ende jemi duke shpresuar që pjesa përfundimtare e mësimit të bëhet në shkolla. Ne jemi duke përgatitur udhëzues, duke marrë praktika të rajonit dhe duke i përshtatur me kushtet në vend. Do të ketë kritere dhe udhëzime të qarta për secilin nivel”, ka thënë ajo.

Bajrami ka thënë se ka pasur vështirësi në fillim të procesit, por sipas saj, mësimdhënësit dhe nxënësit janë adaptuar dhe tanimë çdo gjë po shkon mirë.

Duke folur për disa nga ankesat e nxënësve për shkronjat e vogla në ekrane dhe ligjërimin e shpejtë nga mësimdhënësit, ajo tha se të tilla ankesa kanë pasur edhe në Ministrinë që ajo udhëheqë.

“Janë ankesa që i kemi pasur edhe ne, dhe e gjitha ka pasur të bëjë me një periudhë intensive të xhirimeve, por besoj që këto javë nuk ka ankesa të tilla. Nuk është shpejtë sepse mësueset po shpjegojnë siç e bëjnë në klasë. Por, përmes programit në youtube të gjitha materialet janë të qasshme dhe nxënësit mund t’i kthejnë të gjitha xhirimet”, ka thënë ajo.

Sipas saj, mangësia e ligjëratave në këtë formë është se nuk ka interaktivitet.

“Në anën tjetër kemi edhe mësimdhënës që nuk janë të trajnuar për këto forma. Mësimdhënësit janë përzgjedhur në Prishtinë nga Drejtoria e Arsimit. Ne jemi detyruar që për shkak të pandemisë të kufizohemi në Prishtinë. Ndërkohë që materialet në gjuhë turke dhe boshnjake po prodhohen në shkollën ‘Emin Duraku’ në Prizren”, ka thënë ajo.

Bajrami ka thënë se komunat veriore po përcjellin mësimin që ofrohet nga Serbia.

“Kur kemi filluar më 23 mars me mësimin në distancë, Ministria e Arsimit ka dërguar letra në të gjitha komunat përfshirë edhe ato të banuara me shumicë serbe në mënyrë që ata t’i dërgojnë mësimdhënësit në Prishtinë që në bashkëpunim me MASHTI-n të dërgojnë video-xhirime për nxënësit. Kemi informacione që ata po përcjellin mësimin online që po ofrohet nga Serbia”, ka thënë ajo.

Duke folur për vijueshmërinë e nxënësve, ajo ka thënë se kanë hartuar udhëzues për mësimdhënësit se si duhet të qëndrojnë në kontakt me nxënësit për të kuptuar vijueshmërinë.

“Ne kemi hartuar udhëzues për mësimdhënësit për formën se si mësimdhënësit duhet të qëndrojnë në kontakt me nxënësit e tyre. Në fillim kemi pasur keqkuptime sepse kemi pasur ankesa nga prindërit se përveç mësimit që po zhvillohet në RTK, mësimdhënësit po vazhdojnë të mbajnë mësim edhe në platforma tjera”, ka thënë ajo.

Ndërkaq për pjesëmarrjen në mësime, ajo ka thënë se sipas raporteve, ka një pjesëmarrje të kënaqshme.

“Javën e kaluar kemi filluar të marrim raporte nga të gjitha universitetet publike dhe private dhe pjesëmarrja është jashtëzakonisht e kënaqshme. Kurse për shkollat e mesme dhe shkollat fillore kemi formuar një njësi e cila do të merret me këto raporte. Ne kemi kërkuar nga ana e komunave që në secilën komunë të jenë një ose dy zyrtarë që ju dalin në ndihmë mësimdhënësve sa iu përket platformave”, ka thënë ajo.

Bajrami ka thënë se ka pengesa në mësimin online, por se shton se si Ministri janë duke bërë të pamundurën që t’iu dalin në ndihmë të gjithëve.

“Qëllimi ynë ka qenë që t’i mbajmë bashkë nxënësit me librat dhe të bëjmë gjithçka që ky vit të mos humbet”, ka thënë ajo.

Ndërkaq për mbajtjen e provimeve ajo ka thënë se universitetet duhet t’i analizojnë opsionet se si do të vlerësohen studentët.

“Nuk e kemi diskutuar ende mbajtjen e provimeve. Universiteti i Prishtinës e ka anuluar afatin e prillit për shkak se ka konsideruar se nuk ka kushte për t’u mbajtur provimet. Universitetet duhet të dalin vetë me opsionet se si do t’i vlerësojnë studentët. Meqenëse afati i prillit është anuluar, po mendoj që afati i qershorit edhe me shtyrje të disa ditëve mund të mbahet në universitet”, ka thënë ajo.

Bajrami ka shtuar se ka shumë pak mjete të ndara për digjitalizimin e arsimit.

“Ka shumë pak mjete që janë të parapara për digjitalizimin. Pjesa më e madhe e buxhetit të arsimit shkon në pagat e punëtorëve dhe ndërtimin e shkollave, ndërkohë që nuk është bërë asgjë për digjitalizim. Ka pasur projekte siç është E-edukimi, por në momentin e pandemisë na u nevojit dhe e pamë që e gjitha është e zbrazët. Komplet platforma është formë webi dhe nuk ka ndonjë material që mund të përdorët. Pas përfundimit të pandemisë, mësimi në distancë nuk do të jetë projekt i përfunduar por pikënisje për fillimin e digjitalizimit”, ka thënë ajo.