Arbëri

Kampi Belvedere shqyrtohet si opsion nëse Kosova përballet me fluks refugjatësh

Descriptive Text

Ushtruesi i detyrës së ministrit në detyrë të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, njëherësh koordinator i Grupit Ndërinstitucional për Menaxhimin e Incidenteve, Xhelal Sveçla, ka takuar nënkryetarin e Komunës së Vushtrrisë, Besim Muzaqi nga i cili u njoftua për gjendjen në komunë në përgjithësi e veçanërisht për fshatin Smrekonicë ku tashmë janë disa të infektuar, bëhet e ditur përmes një komunikate për media.

Tutje thuhet se ai po ashtu ka vizituar Akademinë e Kosovës për Siguri Publike në Vushtrri ku u prit nga drejtori i Përgjithshëm i Akademisë së Kosovës për Siguri Publike, Ismail Smakiqi.

“Me këtë rast, Sveçla u njoftua nga Smakiqi për së afërmi me gjendjen dhe kushtet për banim në kampusin e Akademisë, ku u bë e ditur se ajo ka kapacitet për strehimin dhe akomodimin e 686 personave”, thuhet në komunikatë.

Tutje bëhet e ditur se Sveçla ka vizituar kampin e Njësive Speciale të Policisë së Kosovës, “Belvedere” në Mitrovicë.

“Këtu, i shoqëruar nga një delegacion i MPBAP, ai ka parë kushtet e akomodimit që ekzistojnë në këtë kamp, në rast se Republika e Kosovës do të mund të ballafaqohej me një fluks të refugjatëve. Aty u diskutua edhe për mundësinë e akomodimit të personave të riatdhesuar të cilët vijnë nga diaspora dhe janë të detyruar të futen në karantinë”, thuhet në komunikatë.

Gjithashtu bëhet e ditur se ai u takua edhe me kryetarin e komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri, ku u bisedua rreth ballafaqimit me Covid-19 dhe për mundësinë e marrjes së masave shtesë në kuadër të kësaj komune.

“Në fund Sveçla vizitoi edhe pikën kufitare në Jarinje ku u interesua për mbarëvajtjen e punës aty. Nga përgjegjësit në këtë pikë kufitare, u bë e ditur për procedurat e kontrollit të cilat po bëhen duke u respektuar rekomandimet e Ministrisë së Shëndetësisë dhe IKShPK-së”, thuhet në komunikatë.