Arbëri

Shtohet për 6 numri i të prekurve me Covid-19 në Kosovë, gjashtë të tjerë shërohen

Foto: Alban Bujari / KOHA

Edhe gjashtë persona të tjerë sot kanë rezultuar pozitivë me Covid-19 në Kosovë, duke e çuar numrin e të infektuarve në 132, derisa gjashtë persona të tjerë janë shëruar, duke e çuar numrin në 16.

Këtë e ka bërë të ditur IKSHKP-ja, përmes një postimi në Facebook.

“Sot më 03.04.2020 në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK me metodën RT-PCR, janë testuar 105 mostra të marra nga rastet e hospitalizuara në Klinikën Infektive dhe nga gjurmimi i kontakteve të rasteve në terren. Nga mostrat e marra për testim në virusin SARS-CoV-2, gjashtë (6) prej tyre kanë rezultuar pozitive”, thuhet në njoftim.

Po ashtu, nga testet e sotme, 6 pacientë kanë rezultuar të shëruar, duke e çuar kështu numrin total të të shëruarve në 16 në vendin tonë.

“Sot më 03.04.2020, janë të shëruar edhe gjashtë (6) pacientë derisa numri i përgjithshëm i të shëruarve deri me sot është gjashtëmbëdhjetë (16). Rastet pozitive janë raste kontakti, katër (4) prej të cilave janë me vendbanim në Llugagji -Pejë, një (1) me vendbanim në Pejë dhe një (1) e karantinuar”, thuhet në njoftim.

Tutje thuhet se nga data 8 shkurt deri me 3 mars, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK me metodën RT-PCR, janë testuar gjithsej 1.605 mostra të dyshimta në virusin SARS-CoV-2 dhe prej tyre, pozitive rezultojnë gjithsej 132 raste me 1 rast të vdekjes i një të moshuari 82 vjeç.

Në IKSHPK në vazhdimësi përgjatë 24 orëve janë duke u kontaktuar dhe mbikëqyrë të gjitha kontaktet e rasteve, si dhe kontaktet e kontakteve duke iu obliguar për vetëizolim dhe të kërkojnë ndihmë mjekësore nëse kanë simptome. Deri më sot janë kontaktuar dhe janë nën mbikëqyrje 2.772 kontakte të rasteve.

“Qëndroni në shtëpi, kjo ua shpëton jetën! Mbani distancë sociale për 2 metra! Na ndihmoni pak që të ju ndihmojmë shumë”, thotë IKSHP.