Arbëri

MSH-ja thotë se asnjë i burgosur nuk është i prekur me koronavirus

Foto: Koha

Departamenti Shëndetësor i Burgjeve pranë Ministrisë së Shëndetësisë ka njoftuar se asnjë i burgosur nuk është i prekur me COVID-19.

Ministria e Shëndetësisë, përmes një komunikate, ka njoftuar se nga 56 teste të bëra sot nga IKShPK në Burgun e Mitrovicës, ku janë përfshirë të gjithë të burgosurit në testim, rezulton se të gjithë janë negativë.

“Kjo dëshmon edhe një herë se përkundër faktit se disa gardianë dhe një infermier kanë qenë të infektuar, me zbatim të plotë të masave mbrojtëse në punë dhe me disiplinë në këtë periudhë, është arritur që të pengohet përhapja e infeksionit tek të burgosurit”, ka thënë ministria e Shëndetësisë.

Në fund theksohet se Departamenti Shëndetësor i Burgjeve në bashkëpunim me IKShPK-në dhe Shërbimin Korrektues të Kosovës do të bëjnë gjurmimin e kontakteve të të gjithë gardianëve dhe infermierit të infektuar në funksion të lokalizimit të infeksionit, parandalimit të përhapjes në burg dhe në familjet e të prekurve.