Arbëri

Mustafa thotë se në LDK është angazhuar një ekip ekspertësh për rimëkëmbjen ekonomike të vendit

Foto: Alban Bujari / KD

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, thotë se në LDK është angazhuar një ekip ekspertësh, për të identifikuar të gjitha masat për rimëkëmbjen ekonomike, e sipas tij, prioritet do të jetë mbështetja e sektorit privat të ekonomisë dhe punësimit.

“Ballafaqimi me pasojat COVID-19 do të jetë mbi të gjitha prioritetet. Në LDK është angazhuar një ekip ekspertësh, për të identifikuar të gjitha masat për rimëkëmbjen ekonomike dhe financiare nga pasojat e këtij virusi; për konsolidimin e mëtejmë të sektorit shëndetësor dhe atij të arsimit”, shkruan Mustafa.

Mustafa thotë se “Do të trajtohen të gjitha burimet dhe potencialet e brendshme dhe të jashtme financiare, do të analizohet strukturimi emergjent i buxhetit në aspektin e konsumit, kursimit dhe likuiditetit dhe masat për likuiditetin e sektorit financiar në tërësi”.

“Prioritet themelor do të jetë mbështetja e sektorit privat të ekonomisë dhe e punësimit si dhe masat lehtësuese për bashkëpunim ekonomik dhe tregtar me vendet e tjera”, përfundon Mustafa.