Arbëri

Janjeva del nga izolimi dyjavor

Fshati Janjevë i Komunës së Lipjanit, mëngjesin e së martës, i është kthyer normalitetit, pas izolimit, raporton KOHA.

Pas dy jave, qytetarët e këtij fshati kanë mundur që të lëvizin në vende të tjera, derisa vetëm shtëpia e një banori të prekur me Covid-19 e që është nga ky fshat, është në izolim dhe përkujdesje të policisë.

Banori, i cili është i konfirmuar me këtë virus, që nga e mërkura e javës së kaluar është liruar nga Klinika Infektive, pas përmirësimit të gjendjes shëndetësore.

Duke treguar për vështirësitë që kanë pasur, gjatë kohës sa kanë qenë të izoluar, banorët e Janjevës thonë se gjatë atyre javëve janë ndier më të sigurt.

E puna në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Janjevë, sipas mjekëve, është duke vazhduar dhe se tash për tash nuk ka rast tjetër të dyshuar.

Kryetari i Komunës së Lipjanit, Imri Ahmeti, e ka cilësuar të duhur vendimin për daljen nga karantina të këtij fshati.

Heqjen e izolimit e ka kërkuar edhe kryetari i Komunës së Vitisë pasi që, sipas tij, izolimi është duke u sjellë vështirësi banorëve.

Disa komuna të Kosovës u vendosën në karantinë menjëherë pas paraqitjes së rastit të parë pozitiv 2 javë më parë.