Arbëri

BE-ja nënshkruan sot kontratën për ndihmë prej 5 milionë eurosh për luftimin e COVID-19 në Kosovë

Nataliya Apostolova, Shefja e Zyrës së BE-së në Kosovë sot do ta nënshkruajë një kontratë në shumë prej pesë milionë eurosh, për nevoja të menjëhershme të Kosovës për luftimin e pandemisë COVID-19.

Kjo është bërë e ditur përmes një njoftimi nga Ministria e Shëndetësisë.

Nga ministria është bërë e ditur se ceremonia e nënshkrimit do të transmetohet drejtpërdrejt në orën 17:00 në Facebook përmes faqes së BE-së në Kosovë (@EuropeanUnionInKosovo).

“Kontrata do të përfshijë furnizimin me pajisje të specializuara laboratorike dhe mjete për mbrojtjen nga COVID-19 dhe trajtimin e tij, për nevojat e Qendrës Klinike Universitare në Prishtinë. Pajisjet përfshijnë respiratorë/ventilatorë, pompa infuzioni dhe pompa infuzioni shiringë, auto-ambulanca, oksimetër pulsi në gisht dhe oksimetër pulsi, monitorues të pacientëve, defibrilatorë, elektrokardiografë”, shkruan në njoftim.

Njoftimi po ashtu bën të ditur se nëse disa nga artikujt e mësipërm nuk mund të sigurohen, “do të prokurohen furnizimet e artikujve të tjerë të nevojshëm, siç janë testet, gypat, maskat, dorezat dhe dezinfektuesit. Artikujt do të blihen përmes Zyrës së Kombeve të Bashkuara për Shërbimet e Projekteve (UNOPS), e cila do të jetë nënshkruesi tjetër i kontratës”.

Në këtë ngjarje do të marrin pjesë Kryeministri në detyrë, Albin Kurti dhe ministri në detyrë i Shëndetësisë, Arben Vitia.

Ndihma në shumë prej 5 milionë eurove ishte paralajmëruar gjatë javës së kaluar. Bashkimi Evropian kishte bërë të ditur se do ta ndihmonte Kosovën për t’u përballur me betejën ndaj koronavirusit dhe me pasojat socio-ekonomike nga kjo krizë me mobilizimin e një shume prej afër 70 milionë eurosh.

Komisioneri i BE-së për fqinjësi dhe zgjerim Oliver Varhelyi bërë ia kishte bërë të ditur këtë gjë Kurtit përmes një letre.

Ai e kishte njoftuar se Komisioni Evropian do ta mbështeste me ndihmë të menjëhershme sistemin e shëndetësisë në Kosovë me deri në 5 milionë euro dhe 63 milion euro për zbutjen e pasojave socio-ekonomike.

Për tërë Ballkanin Perëndimor, BE-ja do të mobilizojë 38 milionë euro si ndihmë e menjëhershme për sistemin e shëndetësisë dhe 373.5 milionë euro për të zbutur pasojat socio-ekonomike.