Arbëri

Këshilli Evropian vendos të hapë negociatat me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut për anëtarësim

Foto: Reuters / ilustrim

Këshilli Evropian vendosi sot për hapjen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut për anëtarësim.

Lajmi është bërë i ditur nga ministritë e Punëve të Jashtme të të dyja vendeve.

“Me këtë vendim, Shqipëria ka hedhur një hap historik në rrugën e saj evropiane. Ky vendim, megjithëse i vonuar, është bazuar mbi meritën e progresit substancial të arritur me pesë prioritetet kyçe dhe do të nxisë më tej reformat në vend. Vendimi i Këshillit është më shumë se një shenjë besimi që i jepet vendit tonë, Shqipërisë. Në fakt, është një përgjegjësi shumë e madhe, të cilën Qeveria Shqiptare do ta realizojë duke përmbushur në kohë dhe si duhet të gjitha kërkesat, në përputhje me pritshmëritë e procesit të anëtarësimit në BE.

Sipas MPJ të Shqipërisë, vendimi i Këshillit është njohje e qartë e përparimit të konsiderueshëm në zbatimin e agjendës së BE-së.

Sipas ministrisë, vendimi i Këshillit është një mesazh i shkëlqyer jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për mbarë rajonin.

“Vendimi i Këshillit është një mesazh i shkëlqyer jo vetëm për Shqipërinë; në fakt është edhe një mesazh pozitiv për të gjithë rajonin, duke treguar se agjenda e zgjerimit funksionon akoma dhe se e ardhmja e rajonit është në familjen evropiane”, thuhet në komunikatën e MPJ të Shqipërisë.

Ky vendim nuk ka ndonjë rëndësi juridike, por ka shumë peshë nga ana politike, veçanërisht në kushtet kur BE-ja përballet me një nga krizat më të mëdha në histori – pandeminë Covid-19.

Të dyja vendet i pret rrugë e gjatë për anëtarësim në BE.