Arbëri

Policia kërkon më shumë maska mbrojtëse

Descriptive Text

Policia e Kosovës me qëllim të mbrojtjes së të gjithë zyrtarëve policorë dhe në veçanti zyrtarëve në pikat kufitare, në lidhje me situatën rreth virusit COVID-19, që njihet si koronavirusi i ri, ka ndërmarrë masat të menjëhershme për mbrojtjen e këtyre zyrtarëve me pajisje mbrojtëse, thonë zyrtarët e Policisë së Kosovës.

Zyra për informim e Policisë së Kosovës i ka thënë Radios Evropa e Lirë që kjo polici është pjesë e komisionit shtetëror për menaxhim dhe parandalim të koronavirusit, dhe të gjitha aktivitetet dhe masat e deritanishme janë ndërmarrë në koordinim të plotë me të gjitha institucionet kompetente në fushën e shëndetësisë dhe institucioneve tjera relevante, në përputhje edhe me angazhimet dhe detyrat sipas planit për gatishmëri dhe reagim.

“Policia e Kosovës, ka ndërmarrë masat e menjëhershme duke shpërndarë maska dhe pajisje te nevojshme për punonjësit në polici, duke përfshirë edhe pikat kufitare. Përveç kësaj janë realizuar edhe aktivitete nga Drejtoria e Shërbimeve Shëndetësore e Policisë, siç janë: dezinfektimi, dezinsektimi dhe deratizimi në të gjitha pikat kufitare, stacionet dhe objektet policore”, thuhet në një përgjigje të Policisë së Kosovë.

Kryetari i Sindikatës së Policisë ë Kosovës, Shaban Tasholli, thotë për Radion Evropa e Lirë që aktualisht, zyrtarët policorë me detyrë në doganat e Kosovës, si dhe në detyrat kyçe, sikurse njësitet për intervenime të shpejta, por edhe në trafik, janë të furnizuara me pajisje mbrojtëse, por jo të mjaftueshme, për shkak se disa nga pajisjet janë për përdorim vetëm njëditor.

“Unë kam lëvizur sot dhe nga vetura i kam pa policët që janë të gjithë me maska (mbrojtëse) kur i ndalojnë veturat. Nuk ju ofron edhe shumë afër dhe u rrinë në distancë, sepse duhet t’u përmbahemi këshillave mjekësore që i kemi. Mirëpo, e para është që mundësisht t’i kemi ato pajisje me veti. Nuk mund të them që 100 për qind janë të pajisur. Jemi duke u përpjekur që çdo moment policia të ketë çdo pajisje. Në vendet kyçe janë të plotësuara këto kërkesa, ndërsa në alternativat tjera na mungojë. Por kohë pas kohe ka mjaftueshëm”, tha Tasholli.

Më 21 mars, ministri në detyrë i Shëndetësisë, Arben Vitia, pati theksuar që nga 400 mijë euro që kishte ndarë qeveria, ishte siguruar një kontingjent me pajisje mbrojtëse që ishte shpërndarë në institucione shëndetësore dhe një edhe në Policinë e Kosovës.

“Kemi në stok (pajisje mbrojtëse), por me këtë masë që kemi po mundohemi që t’i ruajmë për ata që përballen më së shumti me këtë rrezik, siç janë mjekët dhe policia”, ka thënë Vitia.

Megjithatë, Tasholli thotë se Policia e Kosovës ka nevojë për më shumë pajisje mbrojtëse nga koronavirisi gjatë punës së përditshme, sidomos për maska mbrojtëse.

“Është fjala vetëm për maska dhe asgjë tjetër. Maska kemi mangut, sepse dorëza ka dhe fundja, këto i gjejmë që t’i blejmë edhe vet, të lira”, tha Tasholli.

Zyra për Informim e Policisë së Kosovës ka konfirmuar që të mërkurën “ka pranuar nga Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) një donacion me pajisje si maska, dorëza dhe dezinfektues”.

Gjatë dorëzimit të materialeve mbrojtëse ishin të pranishëm edhe Përfaqësuesja e Përhershme e UNDP-së, Maria Suooko dhe përfaqësues të Policisë së Kosovës.

“UNDP vlerëson lartë punën vetëmohuese të Policisë së Kosovës që vazhdon të demonstrojë një nivel të lartë profesionalizmi, përfshirë angazhimin për të shërbyer në mbrojtjen dhe ruajtjen e sigurisë së të gjithë qytetarëve në Kosovë, veçanërisht në këtë situatë të vështirë”, thuhet në njoftim të UNDP.

UNDP i ka dorëzuar Policisë së Kosovës 4 mijë maska mbrojtëse, 4 mijë dorëza dhe 500 copë sanitizues dore me bazë alkooli.