Arbëri

Deri tash në Kosovë, 33 të infektuar e një i vdekur nga koronavirusi

Foto: Alban Bujari / KOHA

Deri sot në Kosovë, 33 persona janë infektuar, e një ka vdekur nga koronavirusi.

Që nga 8 shkurti e deri sot sipas njoftimit nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike, janë testuar 577 mostra të dyshimta. Ndërkaq janë kontaktuar 560 kontakte të rasteve që kanë rezultuar pozitiv.

Gjatë kësaj periudhe nuk kanë munguar edhe masat nga Qeveria e Kosovës.

Para se të konfirmoheshin rastet e para më 13 mars, në një mbledhje të Qeverisë është marrë vendim për mbylljen e shkollave. Ndërkaq pas konfirmimit të rasteve, në një mbledhje të jashtëzakonshme janë marrë disa masa, në mesin e tyre edhe mbyllja e kufijve tokësorë me të gjitha shtetet dhe pezullimin e linjave ajrore, raporton KOHA.

Pas infektimit të disa personave, disa qytete dhe fshatra në Kosovë kanë shkuar në karantinë.

Gjithashtu janë mbyllur parqet në të gjitha komunat, si masë për parandalimin e Covid-19.

Ndërkaq thirrja e vazhdueshme e institucioneve është që njerëzit të qëndrojnë nëpër shtëpitë e tyre.

Sipas të dhënave, në gjithë botën janë 311,988 njerëz të infektuar, 13,407 të vdekur dhe 93,788 të shëruar. Përveç Kinës nga ku është shfaqur fillimisht, të prekura janë edhe 150 vende.