Pacolli: Hapja e Fabrikave është e vetmja rrugë për zhvillimin ekonomik

Pacolli: Hapja e Fabrikave është e vetmja rrugë për zhvillimin ekonomik

27 maj 2017 17:08

Presidenti i Aleancës Kosova e Re, Behgjet Pacolli, i shoqëruar nga kandidatët e AKR-së për deputetë, ka vizituar sot Mitrovicën, ku ka zhvilluar një takim me qytetarë, si dhe ka vizituar Fabrikat “Hirano Mushrooms” dhe ‘Loni Dekor”.

Vizitën e filluan nga Fabrika e kërpudhave “Hirano Mushrooms”, me ç’rast ka vlerësuar se prodhimtaria vendore dhe hapja e Fabrikave të reja është rruga e vetme drejt zhvillimit ekonomik të Kosovës.

Kjo fabrikë, e cila u hap me iniciativën e Pacollit, është lidere në treg për prodhimin e kërpudhave, ndërsa 100% të prodhimtarisë e dërgon në eksport.

Pacolli tha se Kosova ka nevojë për më shumë Fabrika dhe investime.

“AKR e ka programin e qartë për krijimin e zonave te lira ekonomike dhe tërheqjen e investitorëve të rinj, duke aplikuar këtë program, progresi ekonomik do të ishte i dukshëm, ndërsa do të siguroheshin edhe mijëra vende të reja pune" tha ndër të tjera Pacolli.

Pas vizitës në Fabrikën “Hirano Mushrooms”, Pacolli bashkë me kandidatët për deputetë Korab Sejdiu, Agim Bahtiri, Albena Reshitaj, Islam Pacolli, Vesel Makolli, Mirlinde Gashi, Refiqe Ternava, Mirlinda Sopi, Jeton Ujkani, Sami Boroci, Amir Ahmeti dhe Arta Haxhaj, kanë vazhduar qëndrimin e tyrë në Mitrovicë, ku kanë zhvilluar një takim me qytetarët e kësaj Komune me të cilët diskutuan për gjendjen aktuale ekonomike në Kosovë.

Takimin e hapi kryetari i Mitrovicës nga radhët e AKR-së, Agim Bahtiri, i cili tha se vetëm njerëzit e suksesshëm mund ta zhvillojnë Kosovën dhe jo ata të cilët asnjëherë nuk kanë arritur diçka me djersën e tyre.

“Ne e kemi planin e detajuar për krijimin e kushteve të reja të punësimit, do të jenë grupet proaktive që do të mundësojnë shqyrtimin e çdo ideje, e rrjedhimisht implementimin e saj”, ka thënë Pacolli, dhe ka shtuar se AKR do të krijojë tri zona agro-ekonomike, të cilat automatikisht do ta reduktonin importin nga Serbia.

Pas takimit me qytetarë, Pacolli vizitoi edhe Fabrikën “Loni Dekor”, që merret me prodhimin e mobileve, kuzhinave, dyerve e dritareve.

Presidenti Pacolli premtoi lehtësira për ndërmarrësit dhe tha se ata e kanë rolin e shtyllave kryesore të ekonomisë.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme