Arbëri

KDI kundërshton mocionin e mosbesimit, thotë se krijon pasiguri

Instituti Demokratik i Kosovës ka njoftuar se po i përcjellë me shqetësim zhvillimet e fundit politike në vend, në lidhje me inicimin e mocionit të mosbesimit ndaj Qeverisë nga subjekti politik LDK.

Ata thonë se, një iniciativë e tillë, e ndërmarrë mbi të gjitha në një periudhë të ballafaqimit me shpërndarjen e virusit COVID-19, është e padobishme.

“Rikujtojmë se Qeveria e re e Kosovës e formuar vetëm 45 ditë më parë pas një periudhe disa-mujore kur është qeverisur nga një qeveri në dorëheqje dhe futja në cikël të ri të krizës institucionale mund të prodhojë stagnim të mëtejmë të zhvillimit ekonomik e social, në prolongimin e reformave për sundim të ligjit dhe në procesin e integrimit evropian. E gjithë pa dyshim do t’a dobësojë pozicionin politik të shtetit në rrafshin ndërkombëtar, do t’a polarizojë edhe më tepër skenën politike dhe do të prodhojë zhgënjim e destabilitet shoqëror”, thuhet në njoftim.

KDI beson që Kosova tashmë i ka kaluar situatat kur vendit i janë dashur qeveri teknike apo ato të unitetit, veçanërisht në periudhën para shpalljes së pavarësisë.

Sipas tyre, Qeveritë teknike apo të unitetit janë kryesisht karakteristikë e shteteve pa stabilitet institucional dhe polarizim të skajshëm politik.

“Prandaj, KDI vlerëson se krijimi i një qeverie të tillë do të ishte deformim i vullnetit të shprehur të qytetarëve më 6 tetor të vitit të kaluar, si dhe do të prodhonte institucione të reja pa legjitimitet qytetar. Përderisa vendi është duke u ballafaquar me pandeminë globale COVID-19, gjendja e krijuar në skenën politike ngjallë pasiguri tek qytetarët dhe situatat e krizave të tilla nuk duhet të përdoren për interesa politike. Në këtë drejtim, kohëzgjatja e procedurave kushtetuese për formimin e një qeverie të re do të linte vendin pa institucione në periudhën kur ato vendit i duhen më së shumti”, thuhet në komunikatë.

Ata tutje shtojnë se qytetarët e vendit, më shumë se kurrë më parë presin nga liderët politikë të tregojnë guxim dhe maturi dhe përmes veprimeve të përgjegjshme të thellojnë dhe forcojnë bashkëpunimin ndërinstitucional për tejkalimin e kësaj situate të rëndë jo vetëm për Kosovën por për gjithë njerëzimin.