Arbëri

Ahmeti: I prekuri me koronavirus në Janjevë pa e ditur se ishte i infektuar, ka marrë pjesë nëpër ndeja

Kryetari i Komunës së Lipjanit, Imri Ahmeti, duke folur për prekjen e një qytetari të komunës së Lipjanit me koronavirus, ka thënë se Lipjani nuk është imun dhe se nuk ka mundur të shpëtonte pa ndonjë rast.

Ai thotë se i infektuari është një qytetar i cili është kthyer nga Berlini.

Ahmeti ka thënë se ai është testuar edhe ditën e parë kur ka ardhur por nuk ka pasur simptoma, ndërkaq sot pas testimit është konfirmuar se është prekur nga pandemia Covid-19.

Ai thotë se i njëjti ka lëvizur nëpër fshatin ku banon, nëpër restorante dhe ndeja të ndryshme.

“Nuk kem mjete tjera përveç që qytetarët të lajmërojnë raste të tilla dhe njerëzit të respektojnë masën e vetizolimit. Ka shqetësime tek banorët e Janjevës sepse ka pasur kontakte dhe komunikim me njerëz të tjerë dhe të nijetit ndihen të rrezikuar. Këshilla ime është që të gjithë që kthehen nga jashtë të vetizolohen që të mos rrezikohet shëndeti i të tjerëve”, ka thënë ai.

Ahmeti përmes një lidhje direkte në Interaktiv të KTV-së ka thënë se është e pamundur të kontrollohen të gjithë qytetarët, por shton se ata duhet vetë të kujdesën.

Ai tutje ka thënë se që nga fillimi Lipjani ka dezinfektuar objektet publike, autobusët, stacionet, objektet sportive e rrugët.

Sipas tij, është pajisur edhe stafi mjekësor me mjetet e nevojshme mbrojtëse.

“Unë mendoj që masat në Lipjan po respektohen, një pjesë e madhe e qytetarëve nuk po lëvizin, megjithatë jo në masën e dëshirueshme. Fjalën e kam për njerëzit të cilët janë kthyer në Kosovë. Këto familje duhet ta kursejnë shëndetin e të gjithë neve”, ka thënë ai.

Sipas tij, kapacitetet e institucioneve të komunës nuk janë shfrytëzuar ende.

Ai ka thënë se nëse ka informacione se do të ketë përhapje më të madhe të virusit, atëherë vendi duhet të shkojë në gjendje të jashtëzakonshme.