Arbëri

17 të infektuar me koronavirus në Kosovë, 10 të hospitalizuar dhe 2 të liruar nga Infektiva

Numri i të infektuarve me koronavirus në Kosovë ka mbërritur në shtatëmbëdhjetë.

Këtë e ka bërë të ditur ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, gjatë konferencës së radhës të shtypit, të martën pasdite.

“Janë testuar gjithsej 271 mostra të dyshimta në COVID-19 dhe gjithsej 17 prej tyre kanë rezultuar pozitive”, ka deklaruar ai.

Vitia po ashtu ka bërë të ditur se gjendja e të prekurve që po trajtohen në Infektivë është stabile.

“Informata nga Klinika Infektive e QKUK-së, janë se gjendja e të prekurve që po trajtohen në klinikë e që aktualisht janë dhjetë pacientë, është stabile dhe me përjashtim të njërit prej tyre, më të moshuarit, që kohë pas kohe po asistohet vetëm me oksigjeno-terapi, pacientët tjerë janë në gjendje stabile”, ka thënë ai.

Ai madje ka thënë se dy nga të hospitalizuarit janë liruar në shtëpi në gjendje stabile dhe do të qëndrojnë në shtëpi në vetizolim.

Vitia po ashtu ka informuar për disa veprime të ndërmarra pas gjendjes së emergjencës së shëndetit publik që është shpallur nga Qeveria e Kosovës.

“Dje ka përfunduar procedura për kontraktimin e mjetëve mbrojtëse mjekësore për personelin shëndetësor si maska respiratorë, veshje mbrojtëse për trup, mburoja për fytyrë, çarçafë dhe shërbime tjera mbështetëse për polici doganë, nga 400.000 euro të ndara më herët nga Qeveria”, ka thënë ai, duke shtuar se janë gjetur rezerva të pamjaftueshme.

“Qeveria ka alokuar gjithashtu 6.2 milionë euro për shfrytëzim të menjëhershëm, prej shumës prej 10 milionë euro për zbatimin e aktiviteteve të përfshira në Planin e Veprimit kundër COVID-19”, tha Vitia.

Vitia: Mbi 500 shtretër në dispozicion, në rast të një fluksi më të madh pacientësh me koronavirus

Gjatë konferencës, Vitia ka thënë se së paku 500 shtretër janë në dispozicion, në rast të një fluksi më të madh.

“Klinika Infektive do të shërbejë vetëm për rastet e koronavirusit, derisa kapacitetet do të përforcohen edhe përmes lirimit të hapësirave të disa klinikave tjera, si Klinikës së Pulmologjisë dhe Dermatovenerologjisë, derisa pacientët e Klinikës së Pulmologjisë do të barten në Klinikën e Alergologjisë”, ka deklaruar ai.

Ai po ashtu ka bërë të ditur se Objekti i Mjekësisë Sportive është duke u bërë gati po ashtu për ta shtuar kapacitetin, gjë që Kosovës ia siguron rreth 500 shtretër për një fluks eventual, më të madh të pacientëve me koronavirus.

“Këtu pa e përmendur angazhimin e spitaleve regjionale”, ka shtuar ai.

Edhe spitaleve private u është kërkuar të vënë në dispozicion resurset, në rast nevoje, sipas ministrit.

“Qysh sot kemi marrë përgjigjet e para pozitive”, ka thënë ai.