Arbëri

Masat për koronavirusin, mjekët ankohen që për ta nuk vlen pushimi për njërin prind

Pavarësisht vendimit të Qeverisë për lirimin e njërit prind nga puna, Bekim Syla dhe gruaja e tij, shkaku i profesionit që kanë, nuk do të mund ta gëzojnë këtë të drejtë.

Kjo pasi vendimi nuk vlen për stafin shëndetësor dhe ata që punojnë në institucione të sigurisë, raporton KOHA.

Syla e pranon se do të kenë vështirësi në kujdesin ndaj fëmijëve të tyre, marrë parasysh edhe masën tjetër parandaluese për mbylljen e shkollave dhe çerdheve.

E më shqetësues për Sylën është fakti i përhapjes së këtij virusi vdekjeprurës tek anëtarët e familjes në rrethanat kur ai dhe gruaja punojnë në këto institucione.

E këtë çështje e ka ngritur edhe anëtari i Komisionit për Shëndetësi, Ekrem Hyseni, i cili ka thënë se ka pranuar shqetësime nga shumë profesionistë shëndetësorë.

Hyseni përmes një statusi ka kërkuar nga ministri i Shëndetësisë që edhe nga profesionistët shëndetësorë të lirohet njëri nga prindërit si masë parandaluese e përhapjes së virusit.

“I nderuar dr. Arben Vitia- ministër i Shëndetësisë, Republika e Kosovës. Po ju përcjell shqetësimet e profesionistëve shëndetësorë në lidhje me vendimin e djeshëm të Qeverisë për pezullimin e mësimit në të gjitha nivelet arsimore dhe lirimin e njërit prind nga puna si masë për parandalimin e përhapjes së virusit COVID-19. Ky vendim ka vënë në vështirësi një pjesë të stafit, ku të dy bashkëshortët janë punëtorë shëndetësorë. Prandaj rekomandojmë që në rastet ku të dy bashkëshortët janë profesionistë shëndetësorë, njëri nga ta të jetë i liruar nga puna. Përjashtim do të bënin disa situata specifike, ku mungesa e profesionistit do të pamundësonte funksionimin e shërbimit në varësi të situatave specifike që mund të krijohen”, ka thënë Hyseni.

Por ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka thënë se ka kërkuar nga menaxhmenti i QKUK-së që të paktën të lirojë njërin prind derisa tjetri gjendet në orarin e punës.

Në mesin e 11 masave që Qeveria Kurti mori të mërkurën ishte edhe që, si shkak i situatës së krijuar dhe pezullimit të mësimit dhe punës së çerdheve, njëri prind të lirohej nga puna.

Por në këtë rast përjashtoheshin stafi shëndetësor dhe ata që punojnë në institucione të sigurisë.