Arbëri

Kusari-Lila reagon pasi Thaçi nuk e ftoi edhe atë në takim

Descriptive Text

Kryetarja e Alternativës, Mimoza Kusari, ka reaguar pasi presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, nuk e ka ftuar edhe atë në takim, ashtu siç bëri me partitë parlamentare.

Ajo ka thënë se sot presidenti tregoi se nuk mund të jenë unifikues.

“Sot e kuptova se Presidenti i vendit nuk e konsideron të denjë zyrtarisht një grua Kryetare të partisë Alternative, ish – zv/Kryeministre me titull ashtu si i kishte karakterizuar burrat kryetar të partive që i kishte ftuar, me tituj të posteve që i kanë mbajtur më herët. Nëse Presidenti i vendit e konsideron veten dhe rolin e tij si faktor unifikues për vendin, atëherë sot si shumë herë tjera ai dhe kabineti i tij e treguan se çdo gjë mund të jenë, vetëm unifikues jo”, ka thënë ajo.

Kusari ka thënë se “ashtu sikur edhe shumë raste tjera në Kosovë, kjo situatë e tregon hipokrizinë e retorikës për gjithë përfshirje të grave në jetën politike nga Presidenti i vendit”.

“Nuk e di se çfarë mund të ishte aludimi i tyre për këtë mosftesë, por duke e ditur se gjithmonë sigurohen të jenë të ‘mbuluar me letra’, i këshilloj të verifikojnë në KQZ kënd e përfaqësoj unë. Alternativa është parti e re, ende e vogël, por ndikimin në raste të caktuara mund ta ketë tepër të madh për ndryshimet në Kosovë. Ky postim nuk e paragjykon pjesëmarrjen apo mos pjesëmarrjen time në ftesën eventuale. Ky reagim ka për qëllim të tregojë gabimin e kabinetit dhe të Presidentit për trajtimin e gruas në politikën Kosovare”, ka shkruar ajo.