Arbëri

Thaçi nuk tregon nëse do t’i përgjigjet ftesës së Kurtit

Foto: Alban Bujari / KD

Presidenti Hashim Thaçi nuk ka dhënë përgjigje të saktë nëse do t’i përgjigjet ftesës për takim nga kryeministri Albin Kurti, por ka thënë se nëse i pamundësohet raportimi në Kuvend, do të ftojë në takim të gjithë liderët e partive politike, raporton Koha.net.

Thaçi ka kërkuar që sot t’u drejtohet deputetëve, por Koha ka mësuar se sot seancë nuk do të ketë.

“Është e drejt e imja kushtetuese që t’i informojë deputetët. Por nëse një gjë e tillë më pamundësohet atëherë mundësia e vetme e imja si president i zgjedhur nga kuvendi, është që t’i drejtohem qytetarëve përmes konferencës për shtyp. Të përcillet se ajo se çka ka ndodhur në Uashington e vërteta e tërësishme e këtij procesi sepse jam i vendosur që i tërë angazhim që të jetë plotësisht transparent. Në një formë a në formën tjetër çdo qytetarë duhet të jetë pjesëmarrës i këtij përkushtimi të institucioneve të Kosovës dhe rolit udhëheqës të SHBA-së. Roli i SHBA-së është i pazëvendësueshëm. Ne jemi të bekuar si Kosovë që presidenti Trump i ka marrë këtë rol i ka dhënë mbështetje dhe ka caktuar ambasadorin Grenell”, tha Thaçi, raporton Koha.

Sipas tij, “nëse deri më tani dikush ka pasur dilema për këtë proces, mendoj se roli që kanë marrë SHBA-të dhe takimi në Uashington ka hequr çdo dilemë”.

“Ky proces është në duar të sigurta është në drejtim të duhur dhe në rol udhëheqës të SHBA-së. Nëse më anulohet sot, unë do të bëjë kërkesën tjetër, sepse Kuvendi është i Kosovës i popullit të Kosovës, askush nuk është pronar dhe askush nuk mund të uzurpojë as proceduralisht dhe nuk mund të mohojë të drejtën e Presidentit për të raportuar. Unë do të takohem dhe do t’i ftojë për takim të gjithë liderët e partive politike”, tha tutje Thaçi.

Ndërkohë, dje, kryeministri Kurti ftoi presidentin për takim, duke i ofruar tri termine, për të bashkërenduar çështjet rreth politikës së jashtme.