Arbëri

Në Kosovë nuk ka të prekur me koronavirus

Foto: Reuters

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike në Kosovë (IKSHPK), ka njoftuar se të martën janë testuar mostrat e gjashtë pacientëve tjerë edhe që të gjitha kanë dalë negative.

Sipas IKSHPK-së, nga 8 shkurti deri më tash janë testuar 42 mostra dhe të gjitha kanë rezultuar negative.

“Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës gjatë ditës së sotme, 03 mars 2020, ka marrë informatë nga Klinika Infektive e QKUK për gjashtë raste të dyshimta në COVID-19. Pacientët u kontrolluan nga ekipi i infektologëve në Klinikën Infektive në QKUK dhe iu morën mostrat për testim laboratorik në virusin SARS-CoV-2 dhe kanë rezultuar negative, prej të cilave dy të

ritestuara negative në virusin SARS CoV-2 dhe një pozitive në Influencën A”, thuhet në njoftimin e IKSHPK-së.

Ky institut, ka bërë të ditur se në tri ditët e para të marsit, në Aeroportin Ndërkombëtar “Adem Jashari” si dhe në pikat tokësore kufitare, janë kontrolluar gjithsej 1.879 udhëtarë.

“Nga Aeroporti “Adem Jashari” 327 udhëtarë, Merdar 779, Vërmicë 599, Jarinje 85, Dheu i Bardhë 40, Hani i Elezit 29, Kullë 7, Qafë Morinë 7 dhe Bërnjak 6, udhëtarë”, thuhet në njoftimin e IKSHPK-së.