Prishtinë, 26 maj – Janë certifikuar 19 ndërmjetësues për rajonin e Mitrovicës, nga të cilët 14 janë serbë dhe boshnjakë, të cilët do të punojnë në komunat e veriut. Certifikatat e ndërmjetësimit i ka dorëzuar sot ministrja e Drejtësisë, Dhurata Hoxha. Ajo, gjatë ceremonisë së dorëzimit të tyre, theksoi se me zhvillimin e mëtejmë të institucionit të ndërmjetësimit po lehtësohet puna në gjyqësorin e Republikës së Kosovës.
Gjatë kësaj ceremonie, ministrja Hoxha, theksoi se me zhvillimin e mëtejmë të institucionit të ndërmjetësimit, po lehtësohet puna në gjyqësorin e Republikës së Kosovës dhe ky është një hap drejt integrimit të komuniteteve në sistemin tonë të drejtësisë.
“Profesionet e lira, në veçanti ndërmjetësimi, shënon hap përpara në ofrimin e shërbimeve efikase për qytetarët e Republikës së Kosovës”, theksoi ministrja Hoxha dhe vuri në dukje se profesionet e lira kanë ndikuar në ngritjen e cilësisë së shërbimeve në sistemin e drejtësisë.
Ministrja Hoxha kërkoi nga ndërmjetësuesit e rinj që punën e tyre ta kryejnë me përkushtim dhe profesionalizëm dhe njëherësh duhet pasur parasysh ndjeshmërinë e fushë-veprimtarisë se tyre.
Ministrja i inkurajoi të pranishmit në ushtrimin e profesionit në pajtim me ligjin, duke theksuar se fuqizimi i mëtejmë i këtij institucioni, është i rëndësishëm për sistemin e drejtësisë në vend.