Hoti premton lidhjen e Obiliqit me sistemin e ngrohjes qendrore

Hoti premton lidhjen e Obiliqit me sistemin e ngrohjes qendrore

26 maj 2017 12:32

Kandidatit për kryeministër nga LDK-AKR-Alternativa, Avdullah Hoti, ka thënë të premten, në Obiliq, se kjo komunë do të lidhet me sistemin e ngrohjes qendrore nëpërmes sistemit të kogjenerimit, ndërsa për familjet kosovare do të krijohet Fondi për dhënien e kredive me kamata të ulëta për projekte të banimit që kanë për qëllim efiçiencën e energjisë.

“Projekti energjetik do të jetë një nga projektet e para që do të merret nga Qeveria e ardhshme. Ne do të krijojmë fondin që të gjitha familjet kosovare do të mund të marrin kredi me kamata të ulëta për të ndërmarrë masat e efiçiencës së energjisë”, ka thënë Hoti.

Ai ka thënë se nëpërmes efiçiencës së energjisë, përveç zbatimit të standardeve mjedisore ndërkombëtare, ne do të ulim shpenzimet e familjeve kosovare dhe to të përmirësojmë kualitetin e jetës së tyre.

Hoti ka thënë se qëllimi i Qeverisë së re është stabilizimi i furnizimit me energji duke u bazuar në prodhimin vendor, ndërtimi i kapaciteteve të reja gjeneruese me një kujdes të shtuar ndaj mjedisit, konform standardeve ndërkombëtare.

Kandidati i LDK-AKR-Alternativa për kryeministër ka thënë se nënshkrimi i kontratës për ndërtimin e termocentralit “Kosovës së Re”, do të krijojë vende pune dhe do ta stabilizojë furnizimin me energji, do të pavarësojë sistemin tonë energjetik dhe do të eliminojë nevojat për import të energjisë.

Sa i përket komunës së Obiliqit, Hoti është zotuar se do të reduktohen ndotjet në maksimum, ndërsa Obiliqin do ta lidhet me sistemin e ngrohjes qendrore nëpërmes sistemit të kogjenerimit.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme