Arbëri

Haradinaj: Janë ngritur aktakuzat e para nga Specialja – 250 ftesa janë dërguar deri tani

Nënkryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Nasim Haradinaj në Interaktiv të KTV-së ka thënë se në OVL ka rreth 160 të lajmëruar që kanë marrë ftesa nga Gjykata Speciale, ndërkohë që bazuar mbi raportet në medie, ai shton se ky numër ka arritur në mbi 250.

“Janë 5 vjet pune të kësaj Gjykate, fond marramendës i shpenzuar, ka trysni politike dhe ata duhet që ta arsyetojnë fondin që e kanë shpenzuar”, tha Haradinaj.

Aktakuzat e para nga Specialja tashmë janë ngritur dhe po pritet konfirmimi i tyre.

“Vetë fakti dhe mënyra e thirrjes, cilësimi dhe ndarja e perceptimit se kush do të thirret, është politik dhe etnik”, ka thënë ai, duke elaboruar se deri më tani janë thirrur vetëm shqiptarë.

“Ne si OVL kemi qenë kundër kësaj gjykate”, ka thënë ai, duke iu referuar miratimit në Kuvend të Kosovës të ligjit për krijimin e Speciales.

“Përderisa mendojmë që kemi shtet, ne kemi vërejtje në Parlamentin tonë, por mendoj që nuk duhet t’ju jepet rast që të ndërmerren veprime që shkojnë në dëmin tonë dhe atyre ua arsyeton veprimet e tyre politike. Për mua është e pakuptimtë të mos përgjigjemi atje, por jo ta njohim si Gjykatë. Kemi mundësinë ta themi atje që nuk e njohim si gjykatë”.

“Nuk duhet trembur nga aktakuzat, edhe llogaritur se më tepër është shpifje, se sa ka pasur mundësi me bo krime UÇK-ja. Dihet se kush ka mundur të bëjë krime”, tha Nasim Haradinaj.

Sa iu përket rrëfimeve ndër vite për vrasjet, Haradinaj ka thënë se “po keqkuptohen njerëzit, se çfarë kanë folur dhe kush ka folur”.

“Njerëzit që kanë folur për familjarët dhe të dashurit e tyre mendoj se kanë arsye përderisa nuk i japin konotacion politik. E keqja është se kjo po shfrytëzohet prej tjerëve”, ka shtuar ai.

Haradinaj tha se mbi 200 ushtarë të UÇK-së janë vrarë pas luftës, duke iu përgjigjur pyetjes se si do të mund të kategorizoheshin vrasjet e pasluftës të zyrtarëve të ndonjë partie.