Arbëri

Kosova e përgatitur të përballet me shfaqjen e koronavirusit

Descriptive Text

Institucionet shëndetësore në Kosovë janë deklaruar të gatshme që të përballen me shfaqjen e koronavirusit. Derisa të hënën nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik është ekzaminuar rasti i katërt i dyshuar me koronavirus, i cili ka rezultuar negativ.

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka thënë se janë në koordinim që të gjithë akterët dhe janë të përgatitur në çdo aspekt që në rast se paraqitet një rast me koronavirus në Kosovë të merren të gjitha masat e nevojshme. Sipas tij, mundësia që edhe në Kosovë të paraqiten raste të këtij virusi është evidente, porse ai ka theksuar se nuk ka nevojë për alarmim, shkruan sot Koha Ditore.

Për mënyrën e kontrollimeve në hyrje-daljet e Kosovës ka folur drejtori i Zyrës për media në Ministrinë e Shëndetësisë (MSh), Faik Hoti. Ai ka thënë se Policia e Kosovës është e obliguar që në të gjitha hyrje-daljet në Kosovë udhëtarët t’i pyet se nga cili vend vijnë. “Nëse personi vjen nga një vend ku ka koronavirus, automatikisht personi plotëson një listë me të dhënat e tij, numrin e kontaktit dhe ai përcillet brenda dy javëve, nëse ka ndonjë simptomë”, është shprehur Hoti.

Ndërkohë që nëse një udhëtar shfaq simptoma të gripit, atëherë ai ekzaminohet nga ekipi mjekësor në aeroport ose thirren ekipet mjekësore më të afërta të pikave kufitare. Raste të tilla të ekzaminuara, sipas Hotit, deri më tani janë rreth 25.

Ndërkohë, të hënën rezultatin negativ të rastit të katërt të dyshuar me koronavirus e ka bërë të ditur IKShPK-ja përmes një komunikate për media. Në këtë komunikatë thuhet se IKShPK- ja ka marrë informatë nga Klinika Infektive e QKUK për një paciente të dyshimtë me sëmundjen koronavirus COCID-19. Pacientja theksohet se ka pasur ethe, djegie të syve, rrjedhje hunde dhe fytin e ndjeshëm.

(Të plotë mund ta lexoni sot në gazetën “Koha Ditore”)