Arbëri

Ramadani: Shenjat e popullatës në Kosovë janë të gripit sezonal, e jo të koronavirusit të ri

Naser Ramadani, drejtor i IKSHP-së, në Express Intervistën në KTV, duke folur për rastin e dyshuar për një pacient të prekur me koronavisurin e ri.

Ai thotë se deri më tani 4 persona kanë kërkuar që t’u bëhen analiza, pasi kanë dyshuar që janë të prekur me koronavirusin e ri, por që të gjithë kanë dalë negativë.

Duke qenë se virusi ka arritur në Itali, Ramadani tha se nuk është e thënë që t’u bëhen analiza të gjithëve që vijnë nga Italia, përpos nëse kanë shenja të dukshme.

“Koronavirusi i ri ka shumë shenja klinike - nga ftohjet e lehta, riniteve, flamave ose rufave, e deri tek pneumonia. Në këtë diapazon të madh të simptoimatologjisë, është vështirë të dallohet koronavirusi nga sëmundjet tjera respiratore e aq më shumë për ta dalluar nga gripi sezonal që tashmë kemi të bëjmë me epidemi. Shumica e ngatërrojnë me shenja klinike të gripit. Por, tani kemi më shumë shenja të epidemisë së gripit. Çdo shenjë e paraqitur nga popullata e Kosovës, që s’ka asnjë lidhje me pacientë të ardhur nga Italia apo nga shtetet aziatike, ata s’janë koronaviruse por sëmundje respiratore ose grip të tipit A ose B”, tha Ramadani.

“Kërkesat për analiza laboratorike, nga 8 shkurti deri më sot, kanë ardhur vetëm 4 sosh, dhe të gjithë kanë rezultuar negativë. Për t’u infektuar, distanca nga i infektuari me personin tjetër duhet të jetë deri në 1 metër dhe ajo vjen kur i infektuari teshtin, atëherë pacienti mund të jetë i prekur me koronavirus. Të gjitha pikëzat që dalin nga goja jonë, nuk janë koronavirus. Përndryshe, nuk ka kurrfarë mundësie të marrë virusin. Por, duhen së paku 14 ditë për të ditur nëse dikush është i prekur nga ky virus”, deklaroi drejtori i IKSHP-së.

Sipas tij, epidemia e virusit mund të vijë nga 3 deri në 6 muaj. “Tani jemi në muajin e tretë, dhe rasti i parë mund të vijë nesër. Ne s’kemi përvojë direkte me sëmundjen, por i kemi kolegët nëpër botë që na i kanë shpërndarë të dhënat se si duhet të veprohet”, u shpreh ai.

Fatmirësisht, Kosova s’ka lidhje direkte me Kinën ose me Wuhanin. Në fillim, ai tha se s’ka pasur raste as në Evropë, por janë identifikuar në pikën hyrëse në Aeroportin “Adem Jashari”.

“Tani i kemi vënë kontrollet edhe pikat hyrëse tokësore me Kosovën sepse rreziku tani shfaqet edhe përmes rrugëve tokësore, jo vetëm ajrore”, tha ai.

Ai tha se kemi kushte për karantinë, ndonëse konsiderojmë se rreziku tek ne është shumë i ulët.

“Varësisht nga sjellja e virusit, ose nga sjellja jonë personale në respektimin e kushteve që parandalojnë sëmundjen, atëherë masat mbrojtëse janë shumë të përgjithshme. Definicioni i karantinës është paksa i komplikueshëm: karantina paraqet mbajtjen e njerëzve në një ndërtesë, e cila mban njerëz të shëndoshë, e izolimi është mbrojtja e njerëzve të sëmurë gjë që bëhet nëpër institucione shëndetësore. Karantina, në shumicën e rasteve, mund të bëhet aty ku gjendemi dhe veprojmë. Për shembull, personat që kanë pasur një kontakt me një rast të dyshimtë, ata duhet të karantinohen aty ku janë. Prandaj, ju s’duhet të afroheni me atë rast”, deklaroi Ramadani.

S’ka rekomandim specifik për t’u mbrojtur nga virusi, por nëse i përmbahemi higjienës personale, shanset për t’u mbrojtur janë shumë të mëdha. “Pra, larja e duarve, e jo maska, është masa mbrojtëse”.

Ramadani thotë se për çdo sëmundje respiratore, gjatë teshtitjes duhet të vendosin dorën përpara që të mos shpërndajnë pikëza të cilat mund të bartin sëmundjen.

Duke folur për vaksinën, ai tha se shkenca është duke punuar në dy drejtime: edhe në gjetjen e terapisë adekuate, e edhe në gjetjen e vaksinës që është parandaluese.

“Vaksina është mjeti më i lirë dhe më i mirë dhe më parandalues. Që nga dita kur është lajmëruar rasti, është duke u punuar në këtë drejtim. Ka gjasa që kjo vaksinë të kërkojë edhe disa muaj kohë, por ka gjasa të mëdha që ajo të prodhohet sepse është identifikuar shkaktari dhe gjenomi. Shpresojmë që s’do të zgjasë shumë. Por, deri atëherë na duhet kujdes dhe përkujdesje shëndetësore”, deklaroi Ramadani.