Arbëri

Zaev e Vuçiç bisedojnë për spiunin serb në Kuvendin e Maqedonisë

Shërbimi sekret i Maqedonisë dhe ai i Serbisë do të përcaktojnë se çfarë ka kërkuar agjenti serb i kundërzbulimit, Goran Zhivaljeviq në Kuvendin e Maqedonisë, më 27 prill, kur dhunuesit rrihnin deputetët.

Mandatari për formimin e qeverisë së re, Zoran Zaev pas takimit me kryeministrat e vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bruksel, ka thënë se me presidentin serb Aleksandar Vuçiq nuk kanë folur konkretisht për rolin e Zhiveljeviq, por shpreson se shërbimet do të japin përgjigje se cili ishte roli i tij në 27 prillin e përgjakshëm, transmeton alsat –m.

“Besoj se institucionet e të dyja vendeve, që janë shërbimi sekret i jonë dhe shërbimi sekret serb, do të gjejnë një zgjidhje për këtë çështje. Ajo që u shfaq në media është e dukshme për të gjithë. Ne biseduam në lidhje me perspektivat, folëm për nevojën që rajoni të bashkëpunojë më shumë, Maqedonia dhe Serbia të bashkëpunojnë më tepër”, tha Zoran Zaev, mandatar i Qeverisë së re.

Presidenti serb Aleksandar Vuçiq theksoi nuk ka dëgjuar deri tani se Zhivaljeviq ka kryer vepër penale ose ka organizuar që dikush me dhunë të hyjë në parlament më 27 prill.

Ai bëri një paralele duke thënë se qytetarë të Maqedonisë kanë marrë pjesë në protestat kundër tij në Beograd, pa thënë nëse ata janë pjesë e shërbimeve sekrete maqedonase.

Në faqen zyrtare të Ambasadës serbe qëndron emri i Goran Zhivaljeviqit. Ai është pjesë e shtatë personave në zyrën e ambasadorit dhe ka vendin e punës, këshilltar./Alsat-M