Arbëri

Çeku: Pas shkarkimit të Bordit të Telekomit duhet të vazhdohet me fazën e llogaridhënies

Deputeti i Vetëvendosjes, Hajrulla Çeku në Interaktiv të KTV-së ka thënë se vendimet e sotme të qeverisë janë të mirëseardhura.

“Vendimet sot kanë qenë vendime që vijnë pas një kohe tepër të gjatë, pasi shumë keqpërdorime ishin bërë dhe ishte krijuar njëfarë rehatie. Ky është një fillim shumë i mirë, dhe duhet të kemi besim se ky takt i ditëve të para të jetë standard për qeverisjen”, ka thënë ai. “Nuk besoj se të gjitha këto veprime janë ndërmarrë për me trajtuar një rast specifik. Megjithatë, kjo ka qenë një formë e domosdoshme dhe janë vendime mëse të natyrshme për të funksionalizuar ministritë e reja”.

Ai ka shtuar se ka një dinamikë të punës së qeverisë, dhe sipas tij kjo është e mirë edhe kur mund të ketë edhe mospajtime pasi nuk kërkojnë unanimitet për çdo vendim.

Sipas tij gjithçka duhet të tejkalohet me votë.

“Tanimë qeveria është një trup dhe kur ka mospajtime duhet të zgjidhë brenda saj, e nuk e shoh në rrafshin e partive tani. Bllokada që u krijua në raport me mbajtjen e zgjedhjeve në Podujevë është tejkaluar dhe nuk kam mendim të prerë për këtë”, ka thënë Çeku.

Ai thotë se vendimi për shkarkimin e Bordit të Telekomit ka ardhur në bazë të raportit të Auditorit.

“Në vendim citohet raporti i Auditorit që tregon parregullsi të panumërta në Telekom, asgjë e re. Ky raport dhe me ligj i takon Qeverisë për të vlerësuar punën e bordeve të ndërmarrjeve dhe besoj se është një vendim shumë i drejtë. Bordi i Telekomit simbolikisht ndoshta ka qenë pjesa më e kalbur për të zhvatë buxhetin e shtetit. Ky është vetëm hapi i parë, por tani duhet të bëhet edhe llogaridhënie. Se ndryshe do t’i bie njëlloj amnistie, nëse ata shkojnë veç në shtëpi. Ka filluar me Telekomin, duhet të vazhdojë më tutje, për mua nuk mjafton me këtë. Dhe vetëm kur të kompletohet njëlloj vettingu, atëherë do të jem i kënaqur me punën e qeverisë”, ka thënë Çeku.

Ai thotë se nuk do të ketë emërime partiake në bordin e ri të Telekomit, pasi duhet të bëhen duke u bazuar në meritokraci.

“Nëse do të ndodhë një gjë e tillë, do të jem i pari që do të reagojë. Gjëja më bazike për këto pozita kaq të lartë do të duhej të ishte profesionalizmi. Besoj se Qeveria duhet të jetë e kujdesshme që kur të bënë emërime të tilla të ketë parasyshë meritokracinë”, ka thënë ai.

Çeku: Pas Telekomit duhet të trajtohet edhe RTK-ja

Tutje ai ka folur edhe për çështjen në RTK.

“Besoj se çështjen e RTK-së duhet ta trajtojmë në tërësi, jo vetëm për bordin. Shpesh na kanë thënë se bordi është nyja ku zgjidhet ose jo problemi i RTK-së, por mendoj se duhet të ndryshohet kjo. Problemi është pak më fondamental. Bordi është një pjesë shumë e rëndësishme e problematikës, dhe mendoj se RTK-në duhet ta shpëtojmë. Ky është një obligim që e kemi si shërbyes të qytetarëve të sigurohemi që një shërbyes i tillë mediatik të jetë në shërbim të qytetarëve dhe publikut”, është shprehur ai.

Çeku tutje ka shtuar se kjo qeveri duhet të jetë shumë më efektive, që problemet që janë akumuluar me vite të tëra t’i trajtojë në mënyrë që të vazhdohet me zhvillimin ekonomik.

Gjithashtu ai ka folur edhe për hidrocentralet, derisa thekson se do të jetë çështje ditësh derisa të nisë suspendimi i të gjitha projekteve.

“Po, punohet intensivisht që të trajtohen hidrocentralet dhe ka një gatishmëri që të ketë njëlloj suspendimi për hidrocentralet dhe besoj se kjo duhet të ndodhë sa më shpejtë. Duhet të punojmë edhe me juristët që të ketë shkëputje të kontratave nëse është e mundshme. Duhet të studiohet me shumë kujdes gjithçka. Mendoj se është çështje ditësh deri te vendimi për këtë vendim”, ka thënë ai.

Çeku: AAK-ja po e përdor taksën për manipulim emocional

Ai thotë se taksa nuk është politikë e Vetëvendosjes, por është reciprociteti.

“Është duke u punuar një raport rreth procesit të zëvendësimit në mënyrë që vendimmarrja të jetë sa më korrekte dhe profesionale. Nuk e di sa kohë do të marrë. Tashmë nuk shoh edhe shumë argumente për taksën, por vetëm një tentim për manipulim emocional, sidomos sikur AAK-së. Ashtu siç e kemi thënë në fushatë, reciprociteti mendojmë se është qasja e duhur për ta përdorur ndaj Serbisë. Në parim mendoj se ka elemente kogja praktike e të thjeshta, ajo çfarë u ka munguar qeverive të kaluara për të zbatuar këtë ka qenë vullneti. Reciprociteti është mbrojtje e shtetit dhe e produktit vendor dhe tani ka masa edhe politike edhe ekonomike. Mendoj se ai do të jetë i dobishëm”, ka thënë Çeku.

Sipas tij duhet të ketë dialog me të gjithë partnerët edhe për reciprocitetin e taksën.

“Ne duhet të kemi një dialog të përhershëm me të gjithë partnerët tanë dhe SHBA-ja është njëra nga më të rëndësishmet. Por, unë nuk jam që të tërhiqemi menjëherë nëse dikush e shpreh të kundërtën, unë jam për ta diskutuar këtë. Në fund të fundit reciprociteti nuk është e huaj as për shtetet perëndimore e as për SHBA-në”, është shprehur ai.

Sipas tij Vetëvendosje ka evoluar përkrah popullit dhe gjithashtu edhe Kurti.

“Vetëvendosje ka evoluar gjatë gjithë kohës dhe besoj në këtë si një rrugë drejt suksesit. Besoj se në përgjithësi ka evoluar edhe Vetëvendosje por ka ndërruar edhe besimi i qytetarëve. Dhe jemi zhvilluar paralelisht me qytetarët. Kurti vet ka thënë se si kryeministër do të respektojë ligjet e Kosovës, e aty bën pjesë edhe ajo e simboleve të saj”, ka thënë ai.

Sipas tij opozitarizmi i Vetëvendosjes ishte përmbajtësor, derisa thotë se një gjë e tillë i mungon opozitës së sotme.

“Opozitarizmi i Vetëvendosjes ka qenë përmbajtësor, me atë kritikë është ushqyer edhe vet qytetari i Kosovës, e një kritikë e tillë mendoj se është e shëndoshë. Sot kemi një opozitë e cila nuk ka përmbajtje”, ka thënë ai.