Arbëri

Për më pak se një vit, tetë të vrarë nga përdorimi i jashtëligjshëm i armëve zyrtare të Policisë

Foto: Koha / ilustrim

Për me pak se një vit në Kosovë ka pasur disa viktima, vrasjet e të cilave janë kryer me armë zyrtare të Policisë se Kosovës.

Zyrtarja e Policisë se Kosovës, Valdete Bllaca dyshohet që me armë zyrtare ka vrarë prindërit, vëllezërit dhe veten, raporton KTV.

Rreshteri Shefi Spahiu akuzohet se në majin e vitit të kaluar ka vrarë një punëtor të një kazinoje me armë zyrtare.

Para tre muajsh, polici Vllaznim Hamdia dyshohet që ka vrarë me armë zyrtare viktimën Lulzim Spahiu pas një fjalosjeje për një aksident në komunikacion.

Disa muaj me parë, një i ri është vetëvrarë me armën e babait të tij që është hetues në Policinë e Kosovës.

“KOHA” ka kërkuar nga Inspektorati i Policisë së Kosovës dhe Policia e Kosovës statistika të sakta për vrasjet me armë që janë në pronësi të Policisë.

Megjithatë, të dy këto institucione kanë thënë se nuk kanë statistika të tilla për shkak që të dhënat për vrasje kategorizohen ndryshe e jo përmes armës me të cilën kryhet vrasja.

Në këto të dhëna nuk përfshihen rastet kur zyrtarët policorë kanë kryer vrasje në vetëmbrojtje.