Arbëri

Në KEK kërkohet ndërprerja e menjëhershme e kontratës me “Contour Globalin”

Punëtorët e Korporatës Energjike të Kosovës po kërkojnë nga kryeministri Albin Kurti të mos heshtë karshi kontratës për ndërtimin e termocentralit “Kosova e Re”, por të veprojë kundër saj ashtu siç kishte bërë në kohën kur ishte në opozitë.

Kryesindikalistët thonë se kontrata me operatorin “Contour Global”, të cilën e quajnë të dëmshme për qytetarët, punëtorët e KEK-ut dhe buxhetin e shtetit duhet të anulohet, raporton KTV.

Kjo ngase, sipas tyre, kontrata në fjalë do të krijojë shpenzime jashtëzakonisht të larta për energjinë që do të paguajnë konsumatorët nga viti 2023 deri në vitin 2043.

Sipas Nexhat Llumnicës, nënkryetar i Sindikatës së Re të KEK-ut, kur Kurti ishte në opozitë e kishte kundërshtuar ashpër këtë kontratë duke e quajtur kapitullim të shtetit, por tani në pozitën e kryeministrit asnjëherë nuk ka folur për të.

Ndërsa kritika për qasjen e Kurtit, por edhe të plan-programit bashkëqeverisës LDK-VV ka edhe organizata “INDEP”, e cila merret me çështje energjetike.

Dardan Abazi nga kjo organizatë thotë se në programin 15-faqesh të publikuar të këtij koalicioni nuk janë dhënë detaje të shumta të planit për këtë sektor dhe ndërtimin e termocentralit “Kosova e Re”.

Në bazë të marrëveshjes me “Contour Global” , në rast se Kosova do të inicionte procedurat e anulimit të kontratës, humbja që do t’i shkaktohej do të ishte afro 20 milionë euro.

Ndërsa me këtë marrëveshje parashihet edhe dëmshpërblimi që ky operator i detyrohet shtetit të Kosovës, deri në 8 milionë euro nëse nuk arrin të kryejë punën në bazë të planifikimeve.

Prandaj sipas sindikalistëve dhe shoqërisë civile ekzekutivi duhet të gjejë formë sa më të mirë të ndërprerjes së kësaj kontrate pa shpenzuar shumë për dëmshpërblim.

KTV-ja ka pyetur edhe Zyrën e Kryeministrit por nuk ka marrë përgjigje.