Arbëri

Kandidatët e refuzuar kërkojnë anulimin e konkursit për punësimet në “Trepçë”

Anulim të konkursit dhe hetim nga organet e drejtësisë, kanë kërkuar aplikantët të cilët nuk kanë arritur të punësohen në Minierën e Trepçës dhe atë të Kishnicës.

Mëngjesin e së enjtes, për rreth një orë, banorë të Kishnicës e të fshatrave përreth, kanë protestuar për të dytën ditë, duke shprehur pakënaqësitë e tyre për konkursin për punësim në minierë.

Duke paralajmëruar protesta të vazhdueshme, ata kanë thënë se përzgjedhja në këtë konkurs është bërë në bazë të lidhjeve familjare dhe partiake.

E, për të katërtën ditë ka vazhduar protesta edhe në Minierën e Trepçës. Këtë herë, ata, për 40 minuta, kanë bllokuar rrugën Mitrovicë-Stantërg, raporton KTV.

Ata kanë vazhduar të kërkojnë përkrahjen e Qeverisë së Kosovës për t’i zgjidhur problemet e tyre.

Derisa kryeshefi i ndërmarrjes Trepça, Basri Ibrahimi, ka thënë se çdo gjë në këtë konkurs është legjitime.

Një pjesë e punëtorëve të Minierës së Trepçës, në shenjë pakënaqësie për vonesat e pagave, kanë mbajtur këtë të enjte grevë disaorëshe, por pas takimit dhe premtimit se së shpejti do të paguhen nga menaxhmenti i ndërmarrjes, e kanë ndërprerë atë.