Arbëri

Peticioni kundër hidrocentraleve dorëzohet javën tjetër në Qeveri

Peticioni me rreth 27 mijë nënshkrime të qytetarëve kundër hidrocentraleve në Kosovë ka mbetur në sirtarët e organizatave të shoqërisë civile që nga nëntori i vitit të kaluar.

Peticionin në mbrojtje të lumenjve tetë organizatat priten që t’ia dorëzojnë Qeverisë së re, raporton KTV.

Diana Krasniqi nga Instituti Demokratik thotë se javën e ardhshme fillimisht do të takohen me ministrin e ri të Ambientit, Lumir Abdixhiku.

Zëvendësministri i Mjedisit, Avni Zogiani, ka thënë për KTV-në se peticioni do të trajtohet me prioritet në momentin që do t’i dorëzohet Ministrisë.

Zogiani ka deklaruar se do të shqyrtohen të gjitha vendimet dhe licencat e operatorëve që, sipas tij, janë dhënë në mënyrë të pakontrolluar nga qeverisja e kaluar.

Ai ka paralajmëruar se do të nisin në të ardhmen ndryshimet në Ligjin për mbrojtjen e mjedisit, sepse atë aktual e vlerëson të mangët.

Tetë organizata të shoqërisë civile u bënë bashkë vitin e kaluar duke iniciuar peticion nëpërmjet të cilit kërkohet nga institucionet që të ndalin degradimin e ambientit nga minihidrocentralet, të cilat janë duke u kundërshtuar nga banorët në shumë qytete të Kosovës.