Arbëri

Abdixhiku zotohet s s’do të nisë projekte të reja pa i përfunduar ato në proces

Ministri i Infrastrukturës dhe Ambientit, Lumir Abdixhiku, ka vizituar punimet e deritanishme në zgjerimin e rrugës nacionale N25, Besi – Podujevë, për të cilin projekt premtoi shtim të mjeteve për përfundim të këtij segmenti rrugor.

Ai tha se kjo vizita ka qëllim të tregojë se qeveria e re e ka vëmendjen edhe për këtë regjion të Kosovës.

Ministri i Infrastrukturës dhe Ambientit tha se Qeveria Kurti ka prioritet të pakontestueshëm përfundimin e rrugës Besi-Podujevë.

Abdixhiku theksoi se në buxhetin e vitit 2020 do të ndahen mjete shtesë për të vazhduar punimet me dinamikë të re në këtë segment.

"Për qeverinë dhe mua si ministër rruga dhe përfundimi i rrugës në fjalë do të jetë prioritet i pakontestueshëm në buxhetin e vitit 2020 do të ndajmë mjete shtesë për të vazh duar punimet me intensitet dhe dinamik të re. Ideja është që të përfundojë rruga me katër korsi deri në Besi dhe të vazhdojë deri në Bërnicë, sepse ky qytet është ndër rrugët më të frekuentuara që ka Kosova", tha Abdixhiku, përcjell ksp.

Ministri Abdixhiku u zotua se nuk do të nisë asnjë projekt tjetër, pa i përfunduar projektet aktuale.

"Është tërësisht e papranueshme se si një qytet si Podujeva me mbi 100 fshatra sesi banorët e kësaj ane kanë mbetur të neglizhuar në ndërlidhjen e një elementi parësor të jetesës dhe mbijetesës në këtë rrugë. Prioritet do t’u japim edhe rrugëve tjera që janë duke shkuar do t’i përfundojmë këto projekte të tanishme sa më shpejt të jetë e mundur dhe nuk do të nisim asnjë projekt tjetër pa përfunduar projektet madhore që ka Kosova", tha ministri i Infrastrukturës dhe Ambientit.

Gjatë ditës, ministri i Infrastrukturës dhe Ambientit, Lumir Abdixhiku vizitoi edhe segmentin e pestë të rrugës Besi-Podujevë. Ai gjatë kësaj vizite u shoqërua edhe nga ish-kryetari i komunës së Podujevës, Agim Veliu i cili tashmë mban postin e ministrit të Punëve të Brendshme.