Arbëri

Tahiri: Kurti deri tash po duket veç korrektor e jo udhëheqës i qeverisë

Deputeti i PDK-së, Abelard Tahiri, ka thënë se kryeministri i ri i Kosovës, Albin Kurti, në javën e parë të qeverisjes ka treguar se është “veç korrektor e jo udhëheqës i vërtetë”.

Sipas tij, korrektimi i vendimeve të qeverive të kaluara është në rregull, por “duhet të tregosh edhe planet tua për të ardhmen”.

“Të gjitha qeveritë i kemi kritikuar për program të dobët, por kjo qeveri s’ka as program. Është hipokrizi vizita jashtë vendit pa e mbajt një mbledhje për të treguar prioritetet e tij para qytetarëve. Çdo ditë po befasohemi me sjelljet e tij prej një kryeministri sikur po abstenon nga angazhimi që duhet të ketë. Sikur s’po e njeh aparatin shtetëror. Në një rend dite që kam pa sot flitet veç për shfuqizime e jo për agjendë qeveritare për të ardhmen. Kam të drejtë morale të flas për atë vendimin e ish-qeverisë për pagat sepse e kam votuar për të marrë pagën me rritje prokurorët dhe gjyqtarët. Shpresoj se vendimi të mos afektojë pagat e gjyqtarëve dhe prokurorëve. Si një njeri që kam refuzuar të marrë pagën me rritje, e përshëndes uljen e pagave për zyrtarët qeveritarë. Ai deri tash po del një lloj korrektori e jo njeri të qeverisë vendin. Padyshim që çdo vendim ku dyshon duhet ta çosh në prokurori. S’e kontestoj këtë por duhet me pas edhe agjendë”, ka thënë Tahiri në Interaktiv të KTV-së.

Tahiri ka thënë po ashtu se me vizitën e tij në Shqipëri, Kurti “nuk mohoi se do të marrë pjesë në takimin e ardhshëm për Mini-Schengenin”. Ka thënë se “ky devijim në qëndrim është shqetësues”.

“Ka ndryshime në agjendë. Thoshte bashkim kombëtar, tani për 12 vjet kur u bë shpallja e pavarësisë në vazhdimësi ka folur për bashkim kombëtar duke i përdhosur himnin e flamurin e Republikës së Kosovës. Këto janë çështje që s’janë lehtë të tejkalueshme. Sot kur u bë kryeministër, dezertoi edhe nga çështja e bashkimit kombëtar, për kauzën mbi të cilën është ndërtuar e rritur. Mendoj se ua ka borxh qytetarëve të tregojë pse dezertoi nga kjo agjendë”, ka deklaruar më tej ai.

Tahiri ka thënë se Kurti pa i rishikuar të gjitha marrëveshjet me Serbinë nuk mund të hyjë në procesin e dialogut. Sipas tij, Kurti duhet të dëshmojë se marrëveshjet e deritashme a ishin “vetëm fraza apo vërtetë të dëmshme”.