Arbëri

Reciprociteti ende ide, Grenelli nuk e mbështet

Foto: Driton Paçarada / KD

Qeveria ende nuk i ka prezantuar masat reciproke që planifikon t’i zbatojë në raport me Serbinë, hap ky që është paralajmëruar se do t’i paraprijë heqjes së taksës prej 100 për qind ndaj mallrave që origjinë kanë këtë shtet. Por ShBA-ja që e mbështet qëndrimin e Kurtit për heqjen e taksës, nuk e përkrah edhe idenë e vendosjes së reciprocitetit.

Sipas asaj që ka thënë kryeministri Albin Kurti dhe mbështetur në marrëveshjen për bashkëqeverisje VV-LDK, është përmendur reciprociteti politik, ekonomik dhe tregtar. Gazeta ka pyetur të hënën në Zyrën e Kryeministrit për masat që përfshijnë secilin prej tri aspekteve të listuara, por ka munguar përgjigjja e tyre, shkruan sot “Koha Ditore”.

Të shtunën e kaluar kryeministri Kurti tha se shumë shpejt do të fillojnë ta përgatisin Doganën e Kosovës për vendosjen e reciprocitetit dhe heqjen e tarifës. Por deri të hënën Dogana nuk ka marrë ndonjë njoftim prej Qeverisë.

Drejtori i Doganës, Bahri Berisha, ka listuar një varg aspektesh që ndërlidhen me reciprocitetin, për të cilat ka thënë se pret t’i diskutojnë me Ekzekutivin e ri. Si më kryesoret i ka përmendur mosrespektimin e vulave doganore nga Serbia dhe moszbatimin e Marrëveshjes për Menaxhimin e Integruar të Kufirit (IBM).

(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “Koha Ditore”)